Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kërkoi deklarimin fajtor të ish-drejtoreshës së ARRSH (Autoritetit Rrugor Shqiptar), Sonila Qato dhe të disa vartësve të saj, të cilët u akuzuan se favorizuan një shoqëri në hije në tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019.
Prokurori “special” që përfaqësoi çështjen në gjykatë, Elvin Gokaj, kërkoi dënimin e Sonila Qatos me 1 vit burgim për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Po ashtu, ai kërkoi që ndaj saj të caktohet nga gjykata edhe dënimi plotësues, për t’i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 1 vit. Të njëjtat masa dënimi prokurori kërkoi edhe për të akuzuarën Elona Gogo, motra e drejtoreshës së IKMT (Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Erjon Çela dhe Rudina Palloj, pasi dëgjoi pretencën e prokurorit, vendosi në përfundim të gjykimit:
- Të dënojë me 6 (gjashtë) muaj burgim Simon Prendin për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
- Të dënojë me 6 (gjashtë) muaj burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 1 (një) viti, Elona Gogon, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
- Të dënojë me 6 (gjashtë) muaj burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 1 (një) viti, Erdit Salillarin, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
- Të dënojë me 6 (gjashtë) muaj burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 1 (një) viti, Sonila Qaton, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
- Të shpallë të pafajshme Miranda Shkurtin
- Të shpallë të pafajshëm Nikollaq Mihalin
- Të shpallë të pafajshëm Admir Pahumin
- Të shpallë të pafajshëm Arbër Trokёn
- Të shpallë të pafajshëm Almir Hoxhajn
- Të shpallë të pafajshme Arjana Hasanin
