Një video e shkurtër, një “kiss-cam” dhe një përqafim intim në një koncert live mjaftuan për të rrëzuar nga froni një prej emrave më të suksesshëm të teknologjisë në SHBA.
Andy Byron, CEO i kompanisë së inteligjencës artificiale Astronomer, ka dhënë dorëheqjen pas një skandali që shpërtheu si zjarr në internet. Byron, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, u kap në kamera duke shkëmbyer përkëdhelje të ngrohta me shefen e Burimeve Njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot, gjatë koncertit të grupit Coldplay në stadiumin Gillette të Massachusetts.
Pamjet u shfaqën në ekranin gjigand të koncertit si pjesë e “kiss-cam”, duke shkaktuar të qeshura në publik – por për Astronomer, ato u kthyen në një krizë. Komentet e Chris Martin, solistit të grupit, vetëm sa ndezën më tej flakët e thashethemeve: “Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të ndrojtur,” tha ai me ironi në skenë.
Të nesërmen, bordi drejtues i kompanisë nisi menjëherë një hetim të brendshëm dhe pezulloi përkohësisht të dy punonjёsit. Vetëm dy ditë më pas, Byron dorëzoi zyrtarisht dorëheqjen, e cila u pranua pa vonesë. Në vend të tij, drejtimin e përkohshëm të kompanisë e ka marrë bashkëthemeluesi Pete DeJoy.
Skandali nuk ka kaluar pa pasoja edhe në jetën personale të Byron. Gruaja e tij, Megan Kerrigan Byron, ka fshirë çdo gjurmë të saj nga rrjetet sociale menjëherë pas publikimit të pamjeve. Edhe Kristin Cabot është e martuar, çka ka shtuar përmasat e dramës mediatike.
Astronomer, e vlerësuar rreth 1.3 miliardë dollarë dhe një nga yjet në rritje të sektorit të AI-së, kishte siguruar vetëm pak muaj më parë një financim prej 93 milionë dollarësh. Tani, kompania po përpiqet të ruajë imazhin dhe stabilitetin përballë një skandali që ka shpërthyer globalisht.
Disa e quajnë këtë fundin e një karriere brilante. Të tjerë, një mësim të shtrenjtë për çmimin e vendimeve personale në epokën e vëmendjes publike dhe transparencës absolute.