Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, duke rrëzuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për “fshehje të pasurisë”. Vendimi u dha nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila arriti në përfundimin se akuza nuk provohej.
Procesi nxori në pah nivelin profesional të një prokurori të vetuar të SPAK, në rastin konkret përfaqësuar prej Doloreza Musabelliut, krahasuar me një ish magjistrat dhe gjyqtar të shkarkuar po nga vetting-u.
Tre akte ekspertimi të porositura nga vetë prokurorja mbi pasurinë e Selimit dhe familjarëve të tij përfunduan pa gjetur shkelje ligjore. Në të gjitha rastet, bilanci financiar rezultoi pozitiv, duke treguar se pasuria ishte e justifikuar.
E megjithatë, prokurorja u kap pas pasurisë së babait të Selimit, bazuar në një akt ekspertimi të dyshimtë që sillte dy përfundime të kundërta: një version që e nxirrte bilancin pozitiv dhe një tjetër negativ, bazuar në mungesën e të dhënave tatimore para vitit 1999. Prokurorja zgjodhi t’i “besojë” variantit më të pafavorshëm për akuzën, pavarësisht se ai lidhej me të ardhurat e një të treti – babait të të pandehurit – dhe jo vetë Selimit.
Në sallën e gjyqit, Selimi dhe avokatët e tij rrëzuan pretendimet e prokurores. Ai akuzoi hapur SPAK-un për zhdukje provash dhe manipulim të akteve të ekspertimit, ndërsa zbuloi se kishte kallëzuar penalisht ekspertët që kishin përgatitur raportet financiare me gabime të qëllimshme.
Prokurorja Musabelliu, e cila në mënyrë të paqartë rrëzoi dy akte ekspertimi që e nxirrnin Selimin me bilanc pozitiv, nuk arriti të japë përgjigje konkrete për dyshimet e ngritura nga mbrojtja dhe vetë gjykata mbi ligjshmërinë e veprimeve të ekspertëve dhe qëndrimin e saj të njëanshëm.
Edhe procesi i Vetting-ut, të cilin SPAK e injoroi krejtësisht, kishte konstatuar ligjshmërinë e pasurisë së Selimit dhe bashkëshortes së tij, Rilinda Selimi. Kjo dëshmi e qartë nuk u mor parasysh nga organi i akuzës, që u kap pas supozimeve dhe variantit më të pafavorshëm për të mbajtur në këmbë një çështje pa prova.
Në fund, GJKKO e rrëzoi akuzën, duke theksuar se “fakti penal nuk provohet se ekziston si i tillë”. Ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi u shpall i pafajshëm, ndërsa procesi nxori në pah mangësitë dhe pasigurinë që shoqëruan përgatitjen e çështjes nga ana e akuzës.
Prokurorja e SPAK ka të drejtën e ankimit për të mos qenë dakord me vendimin e gjykatës, por ky verdikt i dhënë pas një procesi të gjatë me përplasje, argumente dhe kundërshtime, ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin profesional të një prokurori të SPAK dhe jo vetëm.
Shija që la ndërtimi i hetimit dhe mbrojtja e tij në sallën e gjyqit, nga prokurorja Musabelliu, nuk ishte thjesht e keqe, por tregoi se mbi supozime dhe prova të sajuara, nëse nuk je një magjistrat i regjur, si ish-gjyqtari Selimi, ke shumë gjasa të përfundosh i dënuar ose në burg.