Elon Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX, ka lajmëruar ditën e shtunë, më 5 korrik 2025, se po krijon një parti politike të re në SHBA të quajtur “America Party”, pas përplasjeve me Donald Trump në lidhje me projektligjin fiskal “Big Beautiful Bill”.
Musk e justifikon këtë hap si një mjet për “t’u rikthyer amerikanëve lirinë” dhe tregon si synim fitimin e disa vendeve në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve për të ndikuar vendimet legjislative.
Ai e bazon vendimin edhe te një sondazh që bëri në rrjetin social X, ku 65% e 1.2 milion votuesve ishin dakord me krijimin e partisë.
Megjithatë, analistët politikë në SHBA janë shumë skeptikë. Sistemi zgjedhor “winner-takes-all”/”fituesi i merr të gjitha” u jep fare pak shanse partive të treta për të marrë pjesë në pushtet.
Nga ana tjetër, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i konsideron përpjekjet e Musk si një shpërqendrim nga menaxhimi i Tesla dhe SpaceX, ndërsa Trump kërcënon të pezullojë subvencionet për kompanitë e tij.
Musk, i cili ka qenë në administratën e Trump si këshilltar për efikasitetin qeveritar, nuk mund të kandidojë si president për shkak të lindjes së tij jashtë SHBA-së, por pritet të ndikojë në zgjedhjet e vitit 2026 përmes kandidatëve të partisë së tij të re.