Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka mbyllur zyrtarisht veprimtarinë e saj prej 1 korrikut 2025, përfshirë aktivitetin në Shqipëri, duke përmbyllur një kapitull të gjatë bashkëpunimi që prej fillimit të viteve ’90.
Nëse do të flasim për impaktin konkret, USAID ka qenë padyshim një ndër kontribuesit më të mëdhenj të reformave në Shqipëri – veçanërisht asaj në drejtësi, që prej vitit 2016. Fondet dhe asistenca teknike që ofroi ishin të konsiderueshme teksa synuan ngritjen e institucioneve të reja dhe forcimin e transparencës. Por gjithnjë ka patur shumë pikëpyetje se sa nga ndihma e USAID-it u përthith realisht me efektivitet në mënyrë që të sillte ndryshime të prekshme për qytetarët.
Përtej retorikës institucionale dhe raporteve të përgatitura me kujdes, reforma në drejtësi vazhdon të lërë pas vetes një bilanc të diskutueshëm – ku progresi i premtuar shpesh po kthehet nё “armik” pёr qytetarët në përditshmëri. Dhe në këtë sfond, edhe kontributi “USAID” me qëllim tё mirё, qёndron mbi disa pikëpyetje: Si u përdor? Kush përfitoi realisht prej tij? Çfare gjurmësh la te banorёt e Shqipёrisё?
Mbyllja e USAID tё ҫon edhe nё një stacion reflektimi…
Shumë projekte të mbështetura në emër të zhvillimit janë perceptuar si cikle të mbyllura, me ndikim të kufizuar.
Një aureolë e paprekshmërisë i shoqëroi shpeshherë individët shqiptarë që vepruan në emër të projekteve qё pagoi USAID. Projekte qё kёnaqёn xhepa pёrfituesish – ndërsa efekti real në terren shpesh mbeti më pak i dukshëm sesa shifrat e renditura tepёr bukur, nё raportet vjetore.
A ka ndihmuar USAID Shqipërinë? Pa dyshim, po! A mund të ishte bërë më i dobishёm për qytetarët? Kjo është një pyetje që e kёrkon pёrgjigjen tё pa nxituar, tё dhёnё me qetësi – pa duartrokitje politike, por as me anatemime partiake.
Tё gjithё e dinё mirё: ndihma nga jashtё nuk mundet ta zёvendёsojё asnjёherё sistemin qё e mban nё kёmbё populli nga brenda: njerёzit e tij qё zgjedhin kush do t`i drejtojё apo ҫojё pёrpara. Tё njёjtёt qё vlerёsojnё nёse USAID ёshtё histori suksesi e lёnё pa pёrfunduar, apo njё program qё prodhoi shumё para, por aspak dobi pёr ta.