Grupi britanik rrezikon ndalimin në SHBA dhe akuzë për “krim urrejtje” pas thirrjeve kundër ushtrisë izraelite në Glastonbury.
Grupi britanik Bob Vylan, i njohur për stilin e tij të ashpër rap-punk dhe tekstet me përmbajtje sociale, është përballur me reagime të forta ndërkombëtare pasi, gjatë një performance në Festivalin Glastonbury fundjavën që lamë pas, nxitën publikun me thirrje ekstreme kundër ushtrisë izraelite.
Në një video që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, reperi Bobby Vylan dëgjohet duke bërtitur nga skena: “Free, free Palestine”, për të vijuar më pas me një mesazh që ka shkaktuar zemërim: “E keni dëgjuar këtë? Vdekje, vdekje për IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)”.
Pas këtij episodi, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se u ka anuluar vizat hyrëse anëtarëve të grupit. Zëvendës Sekretari i Shtetit, Christopher Landau, tha të hënën se “vizat për Bob Vylan janë revokuar për shkak të fjalimit të tyre plot urrejtje në Glastonbury”. Në një reagim në platformën X, ai shtoi: “Të huajt që promovojnë dhunën dhe urrejtjen nuk janë të mirëpritur në vendin tonë.”
Grupi ishte planifikuar të niste një turne koncertesh në SHBA në fund të muajit tetor, por tashmë ky plan është pezulluar. Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ndjeshëm politikat e ndalimit dhe anulimit të vizave për persona të dyshuar për mbështetje të terrorizmit apo antisemitizmit.
Ndërkohë, policia britanike ka konfirmuar se po heton ngjarjen, ndërsa mediat vendase raportojnë se Bob Vylan mund të përballet me akuza për “krim urrejtje” – një vepër që dënohet rëndë në bazë të ligjeve britanike për nxitje të dhunës dhe urrejtjes etnike apo fetare.
Bob Vylan kanë ndërtuar një imazh si zë i revoltës sociale, duke folur hapur për tema si racizmi, pabarazia dhe shtypja sistematike.
Mes polemikave dhe masave zyrtare, grupi ndodhet në qendër të një debati të zjarrtë mbi lirinë e shprehjes, kufijtë e saj dhe përgjegjësinë që vjen me mikrofonin në dorë. Dhe ndërsa skena muzikore e Glastonbury-t zhurmonte nga ovacionet, pasojat politike të atyre thirrjeve sapo kanë nisur.