Gjiganti i modës luksoze Prada ka pranuar publikisht se dizajni i sandaleve të reja të prezantuara në sfilatën e fundit në Milano është frymëzuar nga trashëgimia e lashtë indiane. Ky reagim erdhi pas një vale kritikash nga artizanë dhe politikanë indianë, të cilët e akuzuan kompaninë për mungesë njohjeje ndaj origjinës kulturore të produktit.
Modelët në sfilatën e Prada-s u shfaqën me sandale lëkure të hapura me dizajn të gërshetuar, që ngjasojnë shumë me Kolhapuri chappals – sandale tradicionale indiane, të punuara me dorë, që datojnë që nga shekulli i 12-të dhe janë quajtur sipas qytetit Kolhapur në shtetin Maharashtra.
Pas jehonës së madhe në media dhe kritikave nga përfaqësues politikë, Lorenzo Bertelli – djali i pronarëve të Prada-s – iu drejtua me një letër Dhomës së Tregtisë të Maharashtras, ku pranoi trashëgiminë indiane të sandaleve.
“Ne e pranojmë që sandalet tona janë të frymëzuara nga këpucët tradicionale të punuara me dorë në Indi, të cilat kanë një trashëgimi shekullore,” shkruan Bertelli në letrën e referuar nga Reuters.
Ai shtoi se sandalet janë ende në fazën fillestare të dizajnit dhe nuk është e sigurt nëse do të komercializohen, por Prada është e hapur për një “dialog kuptimplotë me artizanët indianë” dhe ka planifikuar takime të mëtejshme.
Ndërkohë, kjo njohje vjen në një kontekst ku produktet Prada janë jashtë mundësive të shumicës së konsumatorëve indianë – sandalet e meshkujve shiten me çmime që nisin nga 844 dollarë, ndërsa sandalet tradicionale Kolhapuri shiten në tregjet lokale me çmime rreth 12 dollarë.
India ka një treg luksoz ende të vogël, por në rritje të shpejtë, me gjithnjë e më shumë të pasur që blejnë çanta Louis Vuitton, makina Lamborghini dhe bizhuteri luksoze.
Princi Sambhaji Chhatrapati nga familja mbretërore e Kolhapurit u shpreh për Reuters se ishte i zhgënjyer për mungesën e njohjes së trashëgimisë 150-vjeçare të këtyre mjeshtërve. Por disa zëra nga vetë artizanët e Kolhapurit u shfaqën më pozitivë – disa prej tyre ndihen të gëzuar që produkti i tyre po njihet ndërkombëtarisht.

Përkthyer e përshtatur nga: Reuters, https://www.reuters.com/world/india/sandal-scandal-prada-credits-new-designs-indian-legacy-amid-furore-2025-06-28/