
Të gjithë fituan diçka në Samitin dyditor të NATO-s, mbajtur në Hagë të Holandës. Donald Trump, Presidenti i zhurmshëm amerikan, fitoi gjithçka. Ai mori “atësinë” e kësaj aleance, konsolidoi pozitat bombarduese ndaj mediave amerikane që guxojnë ta kritikojnë presidencën e tij dhe siguroi triliona premtime investime ushtarake nga të gjitha vendet e aleancës.
32 vendet që përbëjnë NATO-n ranë dakord të miratojnë objektivin e pagimit prej 5% të GDP-së për mbrojtjen dhe sigurinë vjetore deri në vitin 2035.

Vetëm Spanja nuk ra dakord me aleancën ushtarake dhe kërkoi të përjashtohet nga 5%. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e konsideroi shifrën “Një shpenzim prej 5% do të ishte joproporcional dhe i panevojshëm” duke kërkuar të shpenzojë vetëm 2.1% të GDP-së së saj.
Viktor Orban i Hungarisë, kërkoi që shifra 5% të përllogaritej në një formë alternative kontributi ushtarak, ku të përfshiheshin jo vetëm paratë por edhe investimet.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, u shpreh i lumtur për këtë objektiv të ri shpenzimesh që “u mundësua vetëm nga Presidenti Donald Trump”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i pranishëm në këtë samit, mori atë çfarë ka disa kohë që e kërkon me insistim: buxhet lufte, armë dhe ndihma të shumta ushtarake nga aleanca ushtarake.
Shqipëria fitoi të drejtën, të jetë ajo pritësja e samitit të vitit 2027.

Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe gruaja e tij mbretëresha Máxima, “fituan” të drejtën të ftojnë në Pallatin Huis në Hagë, të gjithë liderët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në mesin e të ftuarve, ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Vetë qyteti i drejtësisë Hagë, fitoi lirinë e zakonshme, kur samiti i Aleancës më të madhe ushtarake në botë, përfundoi punimet me sukses të plotë, si rrallë herë të tjera.