Megjithëse e konsideron Katarin një vend miqësor, Irani sulmoi brenda tij, bazën amerikane në Al‑Udeid (Katar), për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit në Fordow, Natanz dhe Isfahan më 22 qershor.
Raketat, sipas Teheranit, ishin në numër të barabartë me bombat e përdorura nga SHBA-ja dhe u lëshuan larg zonave të banuara për të shmangur viktima civile. Katarit reagoi menjëherë, dënoi agresionin si “shkelje flagrante të sovranitetit”, dhe konfirmoi se mbrojtja e saj ajrore i interceptoi të gjitha raketat, duke mos lejuar viktima apo dëme në bazë.
Sulmi vjen menjëherë pas takimit të Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araqchi me Vladimir Putin në Moskë më 23 qershor, ku Putin dënoi “agresionin e paprovokuar” amerikan kundër Iranit dhe diskutoi solidaritetin rus, duke konfirmuar përkrahje diplomatike.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Trump mblodhi me urgjencë stafin e tij në “Zyrën e Luftës” për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Por përpara këtij takimi, ai lëshoi një sulm të ashpër ndaj disa prej mediave më të mëdha amerikane, të cilat sipas tij “përhapin trillime” dhe minimizojnë suksesin e operacionit amerikan. “Vetëm lajmet e rreme do të thoshin ndryshe – llumi i medias,” deklaroi Trump, duke përmendur emra konkretë si Allison Cooper nga CNN, Jon Karl nga ABC, si dhe drejtues nga NBC dhe Comcast. Ai i akuzoi ata për “zero besueshmëri” dhe për tentativë për të manipuluar perceptimin publik mbi rezultatin e sulmit ndaj Iranit.
Ushtria iraniane kishte paralajmëruar më parë se do të niste një sulm “proporcional” kundër SHBA-së. Duke folur pas lëshimit të raketave këtë mbrëmje, Këshilli i Lartë i Sigurisë i Iranit tha se forcat e armatosura iraniane goditën Bazën Ajrore Al-Udeid në Katar, me të njëjtin numër raketash që Amerika përdori për të bombarduar objektet e saj bërthamore.
“Numri i raketave të përdorura në këtë operacion të suksesshëm ishte i barabartë me numrin e bombave, që Amerika përdori në sulmin e saj ndaj objekteve bërthamore të Iranit”, thuhej në një deklaratë, duke iu referuar sulmeve të së dielës në objektet bërthamore iraniane.
Irani deklaroi se baza e synuar “ishte larg objekteve urbane dhe zonave të banuara në Katar” dhe tha se veprimi nuk përbënte kërcënim për Katarin ose popullin e tij.
A është luftë reale kjo mes Iranit dhe SHBA-së? Deri tani të dy sulmet në të dy krahët nuk flasin për viktima.