Një çift i ri në SHBA, Jessica Ross dhe Treveon Isaiah Taylor Sr., morën një dëmshpërblim prej 2.25 milionë dollarësh pas një ngjarjeje tragjike që mori përmasa edhe më të rënda për shkak të shkeljes së privatësisë së tyre nga një mjek.
Historia nis në gusht të vitit 2023, kur çifti humbi foshnjën e tyre gjatë lindjes në një spital në Atlanta. Komplikacionet gjatë procesit të lindjes çuan në një ngjarje të tmerrshme: foshnja humbi jetën dhe iu nda koka nga trupi gjatë përpjekjeve për lindje natyrale. Familja, e shkatërruar nga dhimbja, kërkoi të kuptonte më mire se çfarë kishte ndodhur dhe porositi një autopsi private.
Por ajo që ndodhi më pas, e thelloi edhe më shumë plagën e tyre. Mjeku që kreu autopsinë, Dr. Jackson Gates, publikoi video dhe foto të detajuara të trupit të foshnjës në rrjetet sociale, pa marrë lejen e familjes. Pamjet ishin tronditëse dhe u shpërndanë në një profil publik në Instagram. Edhe pse më pas u hoqën përkohësisht, ai i publikoi sërish, duke refuzuar të tërhiqej, edhe kur familja kërkoi me insistim që të ndalonte.
Pasi çështja shkoi në gjykatë, juria vendosi në favor të prindërve, duke akuzuar Dr. Gates dhe firmën e tij për shkelje të privatësisë, mashtrim dhe shkaktim të vuajtjes emocionale. U vendos që çifti të marrë 2 milionë dollarë për kompensim dhe 250 mijë dollarë në formë dënimi ndëshkues ndaj mjekut.
Ndërkohë, prindërit kanë ngritur edhe një padi të dytë kundër spitalit ku ndodhi lindja, duke e akuzuar për neglizhencë që solli vdekjen e foshnjës. Ҫёshtja ёshtё ende nё shqyrtim.
Përshtatur nga: një artikull i publikuar nga Associated Press: “Jury awards $2.25 million to Georgia couple in suit over autopsy images of decapitated baby” (21 qershor 2025).