Kreu Art ArchDaily përzgjedh projektin “Tirana Crevices” si model të bashkëjetesës së re në...

ArchDaily përzgjedh projektin “Tirana Crevices” si model të bashkëjetesës së re në qytet – hapësira komunitare mes ndërtesash vertikale.

Më 20 qershor, platforma ndërkombëtare e arkitekturës ArchDaily publikoi një artikull të titulluar “Të jetuarit së bashku – Tetë ide të reja që rishkruajnë konceptin e banimit kolektiv”, ku sjell në vëmendje tetë modele konceptuale që sfidojnë mënyrën tradicionale të të jetuarit në qytete të mëdha – nga Teherani në Lindjen e Mesme deri në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.

Midis këtyre tetë projekteve eksperimentale, një vend të veçantë zë edhe Tirana, përmes projektit të quajtur “Tirana Crevices” – një ide arkitekturore që sipas artikullit, synon të krijojë një formë të re të bashkëjetesës urbane përmes ndërtimit të një kompleksi vertikal me hapësira të përbashkëta, por që ruajnë edhe privatësinë personale.

Artikulli thekson se, ky projekt nuk është një ndërtesë tipike banimi: ai përpiqet të ndërthurë hapësirat private me ato publike në një sistem të ndërlikuar korridoresh, tarracash dhe lartësish të ndёrthurura që krijojnë “çarje” ose “frymëmarrje” në mes të densitetit urban. Këto hapësira shërbejnë si vende takimi, pushimi, ose thjesht si oaze të gjelbёrta midis betonit – duke bërë që ndërtesa të mos jetë thjesht një vend ku jeton, por edhe ku bashkëjeton me të tjerët.

Sipas autorëve të projektit, ky propozim për Tiranën vjen si përgjigje ndaj sfidave që po kalon qyteti: rritjes së shpejtë të popullsisë urbane, ndërtimit të pandalshëm vertikal dhe mungesës së hapësirave komunitare brenda blloqeve të banimit.

Artikulli i ArchDaily e sheh këtë si një eksperiment urban që mund të shërbejë si frymëzim për qytete të tjera që përballen me probleme të ngjashme. Për më tepër, është një vlerësim i qartë për potencialin arkitektonik që Tirana po fillon të tregojë në skenën ndërkombëtare.

Ndër projektet e tjera të përfshira në artikull përmenden edhe ide nga Teherani, Tbilisi, Seuli dhe qytete të tjera që, ashtu si Tirana, janë në një pikë kritike të zhvillimit urban dhe po kërkojnë mënyra të reja për të bashkëjetuar.

Pёrshtatur nga: Nour Fakharany. “Living Together: 8 Conceptual Projects Rethinking Collective Housing in Sites from Tehran to Tirana” 20 Jun 2025. ArchDaily. Accessed 21 Jun 2025. <https://www.archdaily.com/1031367/living-together-eight-conceptual-projects-rethinking-collective-housing-in-sites-from-tehran-to-tirana> ISSN 0719-8884