Pse dhëndri i presidentit po ndjek një marrëveshje për zhvillim prej miliarda dollarësh në një ishull të pabanuar – dhe të papërshtatshëm – ish-bazë e Luftës së Ftohtë?
Nga Mitchell Prothero
21 qershor 2025
Në vitin 1948, një grup oficerësh ushtarakë sovjetikë dhe inxhinierë gjermanë-lindorë zbarkuan në ishullin Sazan (i ashtuquajturi Saseno), një masë graniti me sipërfaqe 5.7 km², i vendosur strategjikisht midis një baze të Marinës Sovjetike në bregun shqiptar dhe takёs së “ҫizmes” italiane. Sipas raporteve të deklasifikuara të CIA-s, rusët dhe aleatët e tyre të Luftës së Ftohtë kaluan dekadën që pasoi duke gërmuar një rrjet të ndërlikuar bunkersh dhe tunelesh nëntokësore, të afta për të përballuar një sulm bërthamor, ndërtuan doke të fortifikuara për nëndetëse me qëllim të mbrojtjes së të paktën një duzine anijesh luftarake dhe mbuluan terrenin e thepisur shkëmbor me armë kundërajrore, bateri raketash me rreze të gjatë veprimi, fusha të minuara dhe llogore.
Ishte një vend i përkryer për të bllokuar Detin Adriatik në rast të një Lufte të Tretë Botërore dhe, siç theksonte CIA, me mbi 90 për qind të vijës bregdetare të ishullit të përbërë nga mure shkëmbore thuajse të drejta që ngriheshin deri në 335 metra lartësi, Sazani ishte praktikisht i paprekshëm ndaj sulmeve.

Sot, Sazani është i pabanuar. Shpatet pothuajse vertikale janë të mbuluara me shkurre dhe drurë të rrallë, ndërsa luginat ndërmjet tyre janë të mbushura me bimësi të dendur dhe të pakalueshme. Nuk ka burime natyrore uji, sipërfaqet e pakta të sheshta fshehin fusha të minuara të paidentifikuara mirë, dhe ishulli është strehë për aq shumë gjarpërinj helmues, saqë qeveria shqiptare ka ndaluar kampingun nё kёtё ishull.
Me fjalë të tjera, është vendi “i përkryer” që kompania Affinity Partners e Jared Kushner-it të investojë në një resort luksi për udhëtarët e pasur që kërkojnë të relaksohen në një peizazh që të kujton lojën Call of Duty.
“Koreja e Veriut e Europës”
Kushner ka plane të mëdha për Shqipërinë e vogël dhe gati tre milionë banorët e saj – dhe jo të gjitha planet janë të çmendura. Për shkak të historisë komuniste dhe etiketimit gjatë Luftës së Ftohtë si “Koreja e Veriut e Europës”, Shqipëria mbetet një nga zonat e fundit të pazhvilluara në Europën Perëndimore. Bregdeti shqiptar në Adriatik rivalizon atë të Greqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë fqinje, me plazhe të mrekullueshme dhe ujë të kristaltë – falë faktit se regjimi i Enver Hoxhës zhvilloi shumë pak industri.
Pushtimi për afro 1 000 vjet nga grekë, romakë, osmanë dhe italianë ka ndihmuar në formimin e asaj që konsiderohet sot si kuzhina më e pasur e përzier në Ballkan. Përtej plazheve, zinxhiri malor i njohur si “Bjeshkët e Nemuna” përfaqëson një nga zonat më të egra dhe të paprekura në Europë – një destinacion i parapëlqyer për alpinistë, ecës dhe adhurues të sporteve në natyrë.
Shqipëria shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2030, dhe numri i turistëve është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit – nga 2.5 milionë në vitin 2019 në mbi 11 milionë në vitin 2024. Megjithatë, pavarësisht këtij zgjerimi të shpejtë të industrisë së turizmit, vendi ende nuk është përqafuar gjerësisht si një destinacion investimi nga investitorët tradicionalë.
“Shqipëria është një nga historitë më pozitive në Ballkan, sepse mund të shohësh përparim drejt sundimit të ligjit, mbrojtjes së investitorëve dhe stabilitetit politik,” tha një analist i tregut të pasurive të paluajtshme në Tiranë, i cili kërkoi të mbetej anonim për të mos shqetësuar klientët e tij. “Kjo është ana e mirë. Problemet, megjithatë, mbeten serioze. Shqipëria përballet me një korrupsion të thellë dhe sistematik, si në infrastrukturë, ashtu edhe në ndikimin politik. Dhe investitorët institucionalë kryesorë janë të shqetësuar për perceptimin e një kulture të pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.”
Ose, siç u shpreh një gazetar i njohur investigativ shqiptar për partitë politike rivale: “Këtu nuk ka të mirë në asnjërën anë. Politika është një sport vdekjeje mes familjeve elitare. Reformat e vetme reale janë ndjekjet penale të kundërshtarëve politikë për korrupsion. Po, janë fajtorë, por ndjekja është gjithmonë politike në thelb.”
Një “Zonë Ushtarake e mbyllur” që hapet
Me miliarda dollarë investime të financuara nga Arabia Saudite dhe një vjehërr në Shtëpinë e Bardhë që ndjehet krejtësisht rehat me politikën si një sport vdekjeje, hetimet e targetuara ndaj kundërshtarëve dhe marrëveshjet e dyshimta me pasuri të paluajtshme, për Jared Kushner-in Shqipëria u duk qartazi më shumë si një mundësi sesa si një rrezik.
Në korrik 2023, Kushner, Ivanka Trump dhe Richard Grenell – ish-emisar special për Serbinë dhe Kosovën dhe aktualisht i dërguar për “misione të veçanta” – iu bashkuan kryeministrit shqiptar Edi Rama në një muze lokal, ngjarje që, sipas raporteve, shënoi fillimin e diskutimeve. Kushner e shpalli zyrtarisht marrëveshjen gjatë një interviste për Bloomberg në mars 2024, duke zbuluar plane për tre projekte zhvillimi me një kosto të parashikuar prej disa miliarda dollarësh.

Projekti i parë përfshin një resort dhe një seri rezidencash përgjatë bregdetit në veri të qytetit portual të Vlorës — pranë një aeroporti të ri që është aktualisht në ndërtim. Ky projekt ka shkaktuar zemërim mes ambientalistëve, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë mbi faunën e zonës. Megjithatë, këto shqetësime u hodhën shpejt poshtë nga administrata Rama. Rrugët në Shqipëri janë në gjendje të mjerueshme dhe bregdeti ka një nevojë të ngutshme për një aeroport, për të hapur rajonin për turistët që nuk duan të përballen me rrjetin e vjetёruar të autobusëve rajonalë.
Por ishte përfshirja e një resorti në ishullin e Sazanit ajo që ngjalli më shumë pikëpyetje. Reagimi i parë erdhi nga ushtria shqiptare, e cila protestoi se ishulli ishte ende një “zonë ushtarake e mbyllur”. Të paktën kështu ishte deri kur administrata e Ramës detyroi ndryshimin e statusit të tij.
“Nën regjimin e Hoxhës, as nuk mund të flisje për Sazanin. Askush nuk mund të shkonte atje nëse nuk ishte ushtarak,” thotë Agimi, një taksist rreth të 60-ave, i cili ka shërbyer si ushtar për një periudhë të shkurtër në ishull, në fillim të viteve ’80.
“Aty ka tunele dhe bunkerë aq thellë nën tokë, saqë as një bombë atomike nuk do t’i dëmtonte,” thotë ai. “Jeta në Sazan ishte e tmerrshme. Uji kishte shije të keqe sepse sillej me anije. Çdo gjë vinte me anije. Kishte shumë pak ushqim dhe ujë. Asnjë energji elektrike, përveç ndonjë përdorimi ushtarak.”
Ndërsa anijet e vogla me turistë ndalojnë herë pas here në ishull për vizita të shkurtra, qëllimi është më shumë të soditen qindra bunkerët e braktisur të epokës së Luftës së Ftohtë, sesa të sfidohet plazhi shkëmbor pranë një moli të ndryshkur, që përdoret nga një pikë doganore e vogël shqiptaro-italiane. Përjashtuar atë segment të shkurtër me gurë pranë postës policore, i vetmi “akses” në det është duke rënë nga ndonjë shkëmb — me shumë gjasa drejt vdekjes.

Gjatë intervistës së tij për Bloomberg, Kushner prezantoi pamjet e resortit të planifikuar. Kabinat me stil retro-futuristik të shpërndara në shpatin e një mali duken me të vërtetë luksoze dhe tërheqëse. Por si arrihet realisht deri tek to?
Duhet theksuar se këto kabina imagjinare janë vendosur ndoshta në zonën më të arritshme të ishullit. Edhe nëse dikush arrin të gjejë tunelin e duhur nëntokësor për t’u ngjitur deri atje, ende mbetet problemi i madh dhe i pazgjidhur që çdo gjë — si uji i pijshëm dhe ushqimi — duhet të transportohet me anije. Ndërkohë, askush nuk ka sqaruar se ku do të shkojnë mbetjet dhe ujërat e zeza. Filmat e James Bond nuk tregojnë kurrë logjistikën e vërtetë të funksionimit të një “bazë sekrete” në mes të askundit.
Jo thjesht për të pasurit
Për të arritur zhvillimin e projektit, Kushner është bashkuar me kompaninë luksoze të mikpritjes Aman Resorts. Aman është e specializuar në hotele të vogla, shpesh në vende të largëta dhe me çmime jashtëzakonisht të larta. Sipas një kërkimi të fundit, një suitë standarde në hotelin Aman në New York kushton rreth 2,700 dollarë nata.
Pronat e Aman-it nuk janë për thjesht të pasurit — ato u shërbejnë një klientele që bën edhe të pasurit të ndihen xhelozё. Kjo mund të shpjegojë edhe përmasat e vogla të projektit në Sazan — sipas disa raporteve, parashikohet të ketë vetëm 40 njësi — dhe indiferencën e dukshme ndaj vështirësive logjistike. Nëse duhet të pyesësh sa kushton që uji i pijshëm apo sushi tё tё shёrbehen në dhomë pas transportit me helikopter, atëherë nuk e përballon dot një natë në një pronë tipike të Aman.
Aman zotërohet nga oligarku ruso-zviceran Vladislav Doronin, i cili e bëri pasurinë e tij në fillim të viteve ’90, menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke punuar me tregtarin famëkeq të mallrave Marc Rich, i cili në atë kohë ishte në arrati.
“Marc Rich u bë mentor për gjithë këta të rinj që dolën nga strukturat e Partisë Komuniste dhe që më pas fituan miliarda nga skemat e tyre,” deklaroi redaktori i Forbes, Paul Klebnikov, për New York Post në vitin 2001. “Ai bënte marrëveshje me shefin lokal të partisë apo me drejtorin e një kompanie shtetërore. I thoshte: ‘OK, do të ma shesësh këtë mall me 5 deri në 10 për qind të çmimit në tregun ndërkombëtar.’” (Tre vite më vonë, Klebnikov u vra në Moskë. Rasti mbetet i pazgjidhur.)
Në vitin 2001, presidenti amerikan në largim, Bill Clinton, e fali Marc Rich-in, i cili kishte ikur në Zvicër për të shmangur gjyqin për akuza që përfshinin shmangie taksash, mashtrim nё telekomunikacion, dhe marrëveshje nafte me Iranin gjatë krizës së pengjeve.
Në vitin 2014, Vladislav Doronin mori kontrollin e Aman Resorts nga themeluesi i saj, me mbështetjen e mbi 300 milionë dollarëve nga Capital Group, një fond me bazë në Zvicër dhe i lidhur me Marc Rich-in. Që nga ajo kohë, kompania ka ndjekur një strategji agresive zgjerimi që vazhdon edhe sot, me më shumë se një duzinë resortesh të reja në zhvillim — përfshirë edhe projektin në Sazan.
Përtej disa shqetësimeve mjedisore të lidhura me aeroportin e propozuar në Vlorë, kompania Affinity nuk është përballur me kundërshtime të mëdha as nga autoritetet shqiptare — të cilat e miratuan investimin në janar, pas rizgjedhjes së Trump — dhe as nga publiku shqiptar. Por një marrëveshje e ngjashme prej gjysmë miliardi dollarësh në Beograd, që synon të zhvillojë rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga SHBA gjatë luftës së Kosovës në 1999 në një kompleks hotelesh dhe rezidencash, është përballur me kundërshti të forta, pavarësisht mbështetjes së qeverisë pro-Trump të presidentit serb Aleksandar Vučić.
Vuçiç, ndonëse mbështet publikisht projektin, është detyruar të hapë një hetim penal për të përcaktuar nëse qeveria serbe ndryshoi në mënyrë të paligjshme statusin e zonës — nga një monument kushtuar vuajtjeve nën “imperializmin amerikan” — në apartamente dhe hotel në pronësi të dhëndrit të presidentit amerikan.
Në Shqipëri, lidhjet e Richard Grenell me rajonin dhe përvoja e tij e mëparshme në Ballkan duket se kanë ndihmuar në qetësimin e çdo shqetësimi. Megjithatë, ish-shefi i sigurisë i Aman Resorts, agjenti i pensionuar i FBI-së për kundërzbulim Charles McGonigal, është dënuar me 78 muaj burg. Akuzat përfshinin konspiracion për të shkelur sanksionet amerikane dhe pastrim parash gjatë kohës së tij në FBI, në shërbim të oligarkut rus Oleg Deripaska dhe një ish-agjenti të inteligjencës shqiptare me lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama.
Është një përzierje e fortë: oligarkë rusë, një agjent amerikan i dënuar për tradhti, marrëveshje luksoze për pasuri të paluajtshme dhe dhëndri i presidentit të SHBA-së. Por Rama shfaq një aftësi të jashtëzakonshme për të manovruar në këtë rreth shoqëror përtej ndarjeve ideologjike. Vetëm javën e kaluar, ai mbajti një fjalim në dasmën e Alex Soros dhe bashkëpunëtores së ngushtë të Hillary Clinton, Huma Abedin.
A është i realizueshëm ndërtimi i një resorti luksoz në një ishull të vështirë për t’u arritur, të mbuluar me mina dhe bunkerë të Luftës së Ftohtë, mbetet për t’u parë. Por ndoshta Kushner dhe mbështetësit e tij sauditë shohin në këtë partneritet përfitime më të mëdha se thjesht fitimet financiare.
Përshtatur në shqip nga Buffim.com
Burimi: Prothero, Mitchell. (21 qershor 2025). Jared Does Albania: Why is the president’s son‑in‑law pursuing a multi‑billion‑dollar development deal on an uninhabited—and uninhabitable—former Cold War base? Airmail News. https://airmail.news/issues/2025-6-21/jared-does-albania