Kreu Art Kardashian apo Diana?

Kardashian apo Diana?

Kim Kardashian rikthen në skenë kryqin legjendar të Princeshës Diana

Kim Kardashian, e njohur për dashurinë e saj ndaj historisë së modës dhe për mënyrën se si i sjell ikonat e së kaluarës në realitetin e sotëm, ka befasuar sërish publikun me një zgjedhje që tërheq vëmendje. Ajo është shfaqur në një ngjarje të rëndësishme kulturore me një nga bizhuteritë më të rralla e të famshme që kanë qenë ndonjëherë pjesë e garderobës së Princeshës Diana – një varëse me kryq të madh, të zbukuruar me diamante dhe gur ametist.

Princesha Diana e kombinoi varësen me gur ametist me një fustan në ngjyrë vjollcë të errët nga Catherine Walker në vitin 1987. Tim Graham/Tim Graham Photo Library/Getty Images

Bizhuteria është e realizuar nga shtëpia britanike Garrard, që ka qenë furnizues zyrtar i kurorës mbretërore. Kryqi në fjalë është i përmasave të mëdha dhe me një stil të frymëzuar nga epoka e Rilindjes. Ai ishte përdorur disa herë nga vetë Diana në evente publike, shpesh i kombinuar me veshje të guximshme e elegante në ngjyrë të thellë vjollcë.

Kim e stiloi këtë relike ikonike në mënyrën e saj personale, duke e vendosur mbi një veshje të bardhë dhe duke shkurtuar zinxhirin origjinal të perlave. Ndryshe nga princesha, që e përputhte varësen me nuancat e veshjes, Kardashian e përdori për të bёrё kontrast me look-un minimalist dhe të pastër që kishte zgjedhur.

Por si gjithmonë me zgjedhjet e saj, edhe kjo paraqitje ngjalli reagime të forta. Disa e konsideruan përdorimin e një objekti me simbolikë fetare dhe rëndësi historike nga një figurë popkulture si të papërshtatshëm. Të tjerë kritikuan faktin që Kardashian ka mundësi të zotërojë ose të mbajë objekte të tilla të rralla, që zakonisht i përkasin muzeve ose koleksioneve historike të trashëgimisë kulturore.

Pavarësisht polemikave, nuk mund të mohohet ndikimi që ajo ka në botën e modës dhe mënyra sesi arrin të sjellë në vëmendje thesare të së kaluarës. Me këtë varëse – e cila është blerë në një ankand të rëndësishëm ndërkombëtar – Kim i ka dhënë jetë të re një cope historie mbretërore, duke e kthyer sërish në vëmendjen e publikut modern.

Varësja me kryq shtoi një shpërthim ngjyre në veshjen e bardhë të Kardashian. Alberto E. Rodriguez/WireImage/Getty Images