Kreu Drejtësi “Mysafiri” kryesor në Eurojust është Shqipëria.

“Mysafiri” kryesor në Eurojust është Shqipëria.

Eurojust është agjencia e Bashkimit Evropian (BE) për bashkëpunimin gjyqësor, e krijuar për të përmirësuar luftën kundër krimit të rëndë ndërkufitar dhe krimit të organizuar. Kjo agjenci ligjzbatuese funksionon duke koordinuar hetimet dhe ndjekjet penale që përfshijnë shumë shtete anëtare të BE-së dhe atyre që nuk janë pranuar akoma, si Shqipëria apo Mali i Zi. Eurojust është me seli në Hagë, Holandë dhe president i saj është austriaku me origjinë sllovene, Michael Schmid.

Të martën, Tirana ishte kryeqyteti që priti Forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, ku i ftuari special ishte Presidenti i Eurojust, Michael Schmid.

Në këtë forum morën pjesë si panelistë kryesorë, përveç Michael Schmid, edhe Ambasadori i BE-sё në Shqipëri, Silvio Gonzato, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.

Michael Schmid deklaroi se “Ballkani Perëndimor është partner shumë i rëndësishëm i Eurojust”. Në fjalën e tij, Schmid tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara nga Bashkimi Evropian” dhe “nuk ka asnjë mënyrë të futesh aty pa kaluar një vend anëtar të BE-së dhe për këtë arsye mendoj se është logjike që ju jeni një nga aleatët kryesorë të BE-së në shumë aspekte. Dhe kur bëhet fjalë për Eurojust, kjo lidhet me luftën kundër krimit të organizuar”.

Ai shtoi se “që nga forumi i parë i organizuar nga Mali i Zi, ka pasur shumë raste të identifikuara sa i përket mashtrimit online dhe janë arrestuar qindra të dyshuar dhe janë konfiskuar mallra të paligjshëm në numër shumë të lartë. Katër grupet hetimore të përbashkëta nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë me trafikimin e drogës, falsifikimin e parave dhe deri më sot më shumë se 50 çështje janë mbështetur që kanë përfshirë vendin tuaj”.

Në fjalën e tij, Altin Dumani nënvizoi se, “bashkëpunimet me Eurojust kanë dhënë rezultate të prekshme dhe janë trajtuar çështje komplekse. Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia, por edhe lufta kundër korrupsionit. Grupet kriminale janë të ndërlidhura, operacionet janë transnacionale. Më shumë hetime të përbashkëta, ndarja e informacioneve, një mision i qartë se gjeografia nuk e pengon, por e ndihmon partneritetin tonë.”

Dumani theksoi një statistikë që godet me shifrat e saj: “Po t’i hedhim një sy raportit të Eurojust, SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve të çelura në Eurojust. Në janar-maj janë bërë 10 mbledhje; janë krijuar 23 skuadra hetimore me BE e rajon, 1 skuadër me Amerikën Latine”.

Në dhjetor 2020, Fatjona Memçaj u bë prokurorja e parë ndërlidhëse (Liaison Prosecutor) e Shqipërisë në zyrën e Eurojust në Hagë. Emërimi i saj u bë për një periudhë prej 2 vjet e 6 muaj nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbi bazën e propozimit të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm. Memçaj vazhdon të mbajë pozicionin e “prokurorit kontaktues” në Eurojust (Hagë) edhe pas pesë viteve të emërimit të saj fillestar.