Kreu Newsbuf Kosova në tryezën e re globale të paqes: Trump fton Vjosa Osmanin...

Kosova në tryezën e re globale të paqes: Trump fton Vjosa Osmanin në “Bordin e Paqes”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë publik një komunikim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, ku Presidenti amerikan Donald Trump e fton Kosovën të bëhet shtet themelues i një strukture të re ndërkombëtare të quajtur “Bord of Peace” – Bordi i Paqes.

Në letrën e datës 20 janar 2026, Trump i drejtohet Osmanit me një ftesë formale që Kosova të marrë pjesë si anëtare themeluese e kësaj nisme, e cila sipas tij synon të krijojë një arkitekturë të re për “paqen e qëndrueshme botërore”.

Presidentja e Kosovës e shoqëroi publikimin e letrës me një mesazh në rrjetet sociale, ku e cilëson ftesën si nder të veçantë dhe si dëshmi të partneritetit të fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Kosovën në këtë mision për një botë më të sigurt,” shkruan Osmani, duke theksuar se Kosova mbetet aleate e palëkundur e SHBA-së.

Në mesazhin e saj, ajo rikujton edhe rolin vendimtar të Amerikës në vendosjen e paqes në Kosovë, duke e paraqitur pjesëmarrjen në këtë bord si vazhdimësi të këtij kapitulli historik.

Ftesa ndaj Kosovës vjen pak ditë pasi edhe Shqipëria u ftua në të njëjtën strukturë, me kryeministrin Edi Rama që publikoi një letër të ngjashme nga Presidenti amerikan. Kjo sugjeron se Uashingtoni po synon të përfshijë disa vende të Ballkanit si pjesë e bërthamës themeluese të këtij organizimi të ri.

Megjithatë, deri tani nuk janë bërë publike detaje konkrete mbi mandatin, kompetencat apo mekanizmat funksionalë të Bordit të Paqes. Nisma mbetet në fazën e shpalljes politike, ndërsa pritet të qartësohet se cilat shtete të tjera do të jenë pjesë e saj dhe çfarë roli real do të luajë ky forum në vendimmarrjen globale.

Për Prishtinën zyrtare, kjo ftesë paraqitet si një tjetër sinjal i mbështetjes amerikane dhe i pozicionimit të Kosovës në tryezat ndërkombëtare të sigurisë dhe diplomacisë.

Në përmbyllje të reagimit të saj, Osmani shkruan:

“Historia i mban mend ata që ndërtojnë paqen. Kosova është gati të jetë pjesë e kësaj rruge.”