Pas atentatit të përgjakshëm pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri), hetimet kanë zbuluar një tjetër skandal në radhët e Policisë së Shtetit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy punonjës të Komisariatit nr. 3 në Tiranë, nënkomisar B. C. dhe inspektor A. Z., të cilët dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet që i hapën rrugën punësimit të Shaljanit si agjent i AMP-së.
Ngjarja e rëndë e një dite më parë, ku u qëllua me armë automjeti ku udhëtonin Dani dhe Shaljani, ka nxitur verifikime të menjëhershme mbi mënyrën sesi Shaljani ishte përfshirë në strukturat e AMP-së, megjithëse kishte një të shkuar problematike.
Sipas AMP-së, dy efektivët nuk kanë pasqyruar të dhëna të rëndësishme që do të pengonin certifikimin e sigurisë për Shaljanin. Kjo shkelje ka bërë të mundur emërimin e tij të paligjshëm në një detyrë sensitive brenda strukturave të shtetit.
Të dy punonjësit janë vënë nën hetim për “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim detyre”, ndërsa dokumentacioni i plotë i çështjes i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës.
Ndërkohë, AMP ka paralajmëruar se verifikimet do të shtrihen në të gjithë zinxhirin komandues, për të përcaktuar nëse në këtë proces kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Ngjarja ka vënë sërish në qendër të vëmendjes problemet e thella të filtrimit të personelit dhe zbatimit të procedurave ligjore në strukturat e sigurisë.









