Kreu Newsbuf Arrestohen 5 inspektorë të IMT-së për ndërtimet pa leje në Sauk

Arrestohen 5 inspektorë të IMT-së për ndërtimet pa leje në Sauk

Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Tiranë dhe dy persona të tjerë, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim i paligjshëm”, pas zbulimit të tre objekteve të ndërtuara pa leje në një zonë rezidenciale të Saukut.

Sipas njoftimit zyrtar, janë arrestuar inspektorët Gjergji Male, Krenar Rexhepi, Aldo Dubi, Odise Cenaj dhe Endri Dervishi, ndërsa janë shpallur në kërkim tre inspektorë të tjerë. Në pranga kanë rënë gjithashtu Bianka Xhumari, drejtuese teknike e kompanisë ndërtuese, dhe Ritvan Gjikolaj, inxhinier i subjektit, ndërsa tre përfaqësues të tjerë të firmës janë shpallur në kërkim.

Burime bëjnë me dije se ndërtimet në fjalë janë pjesë e një kompleksi rezidencial në pronësi të ish-deputetit socialist Vladimir Kosta dhe bashkëpronarëve të tij. Kompleksi, sipas dokumenteve, po ndërtohet nga shoqëria “Austrian Construction Albania” sh.p.k., në bashkëpunim me “Lani” sh.p.k., me leje ndërtimi të miratuar nga Bashkia e Tiranës.

Pas ndërhyrjes së policisë, kompania “Austrian Construction Albania” ka reaguar publikisht duke kundërshtuar akuzat për ndërtim pa leje. Në deklaratën e saj, kompania thekson se leja e ndërtimit është e miratuar ligjërisht, me një sipërfaqe totale prej mbi 13 mijë metra katrorë mbi tokë dhe 9 mijë metra katrorë nën tokë, ndërsa aktualisht janë përfunduar 31 nga 33 vilat e parashikuara.

Autoritetet ndërkohë kanë nisur hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të personave të përfshirë dhe për të verifikuar përputhshmërinë e punimeve me lejen e miratuar.

Zhvillimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse bëhet fjalë për ndërtim pa leje apo për një konflikt institucional mbi interpretimin e dokumenteve të ndërtimit.

Pamjet e aksionit publikuar nga Policia e Shtetit: https://www.facebook.com/watch/?v=3774429446184881