Sot, media ndërkombëtare Al Jazeera ka botuar një shkrim të gazetares Shola Lawal, i cili i referohet një interviste ekskluzive me kryeministrin shqiptar Edi Rama, zhvilluar në Berlin gjatë konferencës Berlin Global Dialogue në fund të tetorit. Në këtë artikull, Rama flet për luftën në Ukrainë, për qëndrimin e tij mbi marrëdhëniet me Rusinë dhe për rolin e Bashkimit Europian në procesin e paqes.
Më poshtë shkrimi i plotё, i përkthyer dhe përshtatur në shqip nga redaksia Bufiim.com:
‘Rusia nuk do të sulmojë asnjë vend tjetër europian’: Kryeministri shqiptar Edi Rama
Berlin, Gjermani – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zbutur shqetësimet perëndimore se Rusia po përgatitet për konflikte të tjera në Europë dhe ka sugjeruar që Bashkimi Europian duhet të ketë një plan konkret paqeje për Ukrainën, ndërsa Shtetet e Bashkuara përpiqen të përfundojnë luftën.
Rama, duke folur për Al Jazeera në nisje tё konferencës Berlin Global Dialogue në fund të muajit të kaluar, tha se do të ishte “krejtësisht budallallëk” për cilindo vend të sulmonte anëtarët e BE-së ose të NATO-s.
“Rusia nuk do të sulmojë Shqipërinë dhe Rusia nuk do të sulmojë asnjë vend tjetër europian,” tha ai. “NATO është gati për çdo lloj agresioni. NATO nuk ka askënd dhe asgjë për t’u frikësuar, sepse është ushtria më e fortë në botë deri tani.”
Njëzet e tre nga 27 anëtarët e BE-së janë gjithashtu pjesë e NATO-s. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE që prej vitit 2014.
“BE-ja provokohet shumë nga Rusia,” shtoi Rama. “Vendet në kufi me Rusinë provokohen çdo ditë … BE-ja po mbron veten dhe po mendon si të mbrohet më mirë.”
Që nga fillimi i shtatorit, disa vende europiane – përfshirë Poloninë, Finlandën, Letoninë, Lituaninë, Norvegjinë dhe Rumaninë – kanë fajësuar Rusinë për një sërë inkursionesh të dyshuara me dronë. Tensionet u rritën më 19 shtator, kur NATO njoftoi se kishte përgjuar tre avionë rusë MiG-31 të dyshuar se kishin hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë – një pretendim që Moska e mohoi.
Muajin e kaluar, kreu i inteligjencës së huaj gjermane, Martin Jäger, paralajmëroi ligjvënësit se për të zgjeruar sferën e ndikimit të saj më në perëndim të Europës, Rusia mund të shmangte “përballjen ushtarake të drejtpërdrejtë me NATO-n, nëse do të ishte e nevojshme.”
Moska ka mohuar akuzat se ka dërguar me qëllim dronë në hapësirë ajrore europiane, duke fajësuar ato vende për “nxitje të panikut”.
Mungesa e planit të paqes të BE-së “duket shumë e çuditshme”
Qeveria e Ramës ka qenë një mbështetëse e fortë e sanksioneve të BE-së ndaj Moskës dhe një kritik i ashpër i pushtimit rus të Ukrainës. Por ai i tha Al Jazeera-s: “Fakti që BE-ja nuk ka një plan paqeje më duket shumë i çuditshëm.”
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump përpiqet të arrijë një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, Rama tha se BE-ja duhet “të mendojë për të pasur diplomacinë e saj aktive për të promovuar vizionin e saj të paqes”. Ai shtoi se zyrtarët e BE-së duhet të gjejnë një mënyrë për të folur me rusët, për të çuar drejt një përfundimi të konfliktit.
Të hënën mbrëma, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi për agjencinë Interfax se ai nuk kishte parë ende një plan europian për t’i dhënë fund luftës.
Rama theksoi se Shqipëria nuk ndien presion nga Rusia, pasi nuk ka pasur raportime për shfaqje dronësh rusë në territorin shqiptar, ndërkohë që vendet kufitare me Rusinë janë në gjendje alarmi të lartë.
“Jam shqiptar,” tha Rama. “Ne nuk kemi frikë … Nuk ka vend për armiqësi ruse në Shqipëri, sepse nuk ka simpati për Rusinë.”
Përpara këtyre incidenteve, Moska ishte akuzuar për përfshirje në “luftë hibride” – duke përdorur metoda si sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi për të krijuar ndarje brenda vendeve të BE-së. Dronët e fundit, sipas bllokut europian, janë pjesë e të njëjtës strategji.
Ndihet frika se lufta në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, që përfshin Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – një rajon me tensione të brendshme historike.
Më 22 tetor, gjatë një takimi në Londër të organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai e quajti rajonin “prova e sigurisë së Europës”.
Shtetet e Ballkanit ndodhen në faza të ndryshme të negociatave për anëtarësim në BE, duke punuar për reforma në gjyqësor dhe në sistemin social për t’u përafruar me standardet e unionit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Tiranë më 25 tetor, përgëzoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian,” tha ajo, “dhe që nga viti 2022 ka pasur një përshpejtim të jashtëzakonshëm të reformave.”
Rama e konfirmoi këtë vlerësim, duke i thënë Al Jazeera-s se hapja e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Pёrkthyer nga: Al Jazeera, https://www.aljazeera.com/news/2025/11/4/russia-will-not-attack-any-other-european-country-albanian-pm-edi-rama









