Kreu Drejtësi Gjykata Kushtetuese: Veliaj mbetet në detyrë, autonomia vendore riafirmohet si garanci kushtetuese

Gjykata Kushtetuese: Veliaj mbetet në detyrë, autonomia vendore riafirmohet si garanci kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka publikuar zyrtarisht njoftimin e saj mbi vendimin për çështjen që ka mbajtur vëmendjen e opinionit publik prej javësh: shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në këtë njoftim, trupa gjykuese bën të qartë se ka pranuar kërkesën e Veliajt dhe ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539/2025, si dhe dekretin e Presidentit të Republikës nr. 350/2025 që kishte caktuar datën e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.

Në dokumentin zyrtar, Gjykata argumenton se ajo “ka juridiksion për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e një organi të zgjedhur drejtpërdrejt,” duke iu referuar nenit 115 të Kushtetutës. “Në kuptim të nenit 115, pika 1, shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues,” – theksohet në njoftim. Sipas Gjykatës, kjo kompetencë është parashikuar për të mbrojtur “parimin e autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.”

Në një interpretim të prerë që pritet të citohet gjatë në analizat juridike të ardhshme, Gjykata thekson: “Atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji,” duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje ligjore që kufizon garancitë kushtetuese të organeve të zgjedhura do të konsiderohet antikushtetuese.

Në vijim, Gjykata konstaton se procedura e ndjekur nga Këshilli Bashkiak dhe më pas nga Këshilli i Ministrave ka qenë e cenuar në aspektin e të drejtave themelore të kërkuesit. “Procedura e ndjekur, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur,” – thuhet në njoftim, ku shtohet se “procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendosen te individi.”

Gjykata thekson gjithashtu se qeveria nuk ka arritur të justifikojë shkarkimin në përputhje me kërkesat e nenit 115 të Kushtetutës dhe nenit 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, duke nënvizuar se “mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.”

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin e të dy akteve — të qeverisë dhe të presidentit — duke i hapur rrugën kthimit të Veliajt në detyrë. Megjithëse mënyra e votimit nuk është bërë publike zyrtarisht, sipas burimeve mediatike, pro vendimit kanë votuar Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini, ndërsa kundër janë shprehur Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të botohet i arsyetuar brenda afateve ligjore, vlerësohet si një precedent me rëndësi themelore për raportin ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror. Ai riafirmon mbrojtjen kushtetuese të mandateve të zgjedhura drejtpërdrejt dhe përcakton qartë kufijtë e ndërhyrjes së ekzekutivit në institucionet vendore.