Hetimi për një nga projektet më të mëdha të dekadës, ndërtimin e tunelit të Llogarasë, po zgjerohet. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza ndaj pesë ish-zyrtarëve dhe funksionarëve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e projektit.
Në njoftimin e sotëm, SPAK bën të ditur se të pandehur janë shpallur: Evis Berberi, në kohën e ngjarjeve drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar; Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, drejtues në strukturat e këtij institucioni; si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas prokurorisë, personat në fjalë dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, gjatë procedurës së prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, zhvilluar në dhjetor 2020 dhe rihapur në qershor 2021 me fond limit afro 19 miliardë lekë pa TVSH.
Nga të dhënat zyrtare, hetimi po fokusohet në veprimet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili kishte për detyrë të siguronte zbatimin e procedurave ligjore dhe garën e ndershme ndërmjet operatorëve ekonomikë.
Ky zhvillim shënon zgjerimin e ndjeshëm të dosjes që përfshin edhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila më 31 tetor u njoftua zyrtarisht me akuzën për të njëjtën vepër penale.
Me këtë hap, hetimi i SPAK për tenderin e Llogarasë shënon një fazë të re, duke përfshirë jo vetëm drejtuesin politik të institucionit, por edhe nivelin ekzekutiv të administratës që ka firmosur dhe zbatuar procedurat e prokurimit.
Prokuroria e Posaçme në njoftimin zyrtar kujton se hetimet janë ende në fazë paraprake dhe se çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.









