Mbretëria e Bashkuar u trondit mbrëmjen e së shtunës nga një sulm i dhunshëm me thikë në një tren që udhëtonte drejt Londrës, ku disa pasagjerë u plagosën rëndë. Policia britanike konfirmoi se ngjarja nuk lidhet me terrorizëm, ndërsa një 32-vjeçar është arrestuar nën akuzën për tentativë vrasjeje.
Treni i kompanisë London North Eastern Railway ishte nisur nga Doncaster në drejtim të Londrës dhe ndaloi në mënyrë të paplanifikuar në stacionin Huntingdon, pasi udhëtarët njoftuan për një sulm me thikë në bord. Brenda pak minutash, forcat e armatosura arrestuan dy persona, por më vonë njëri u lirua pasi u vërtetua se nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Në total, njëmbëdhjetë persona morën trajtim mjekësor, ndërsa nëntë prej tyre mbeten në gjendje të rëndë.
Autoritetet po hetojnë motivet e 32-vjeçarit britanik nga Peterborough, i cili besohet se ka vepruar i vetëm.
Kryeministri Keir Starmer dhe Mbreti Charles shprehën keqardhje për viktimat dhe falënderuan shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të menjëhershëm.









