Kreu Sport Enkileda Carja, kampione e trefishtë e Europës

Enkileda Carja, kampione e trefishtë e Europës

Një tjetër faqe e artë në historinë e peshëngritjes shqiptare u shkrua dje në Durrës. Peshëngritësja e talentuar e KSHS “Teuta”, Enkileda Carja, u shpall kampione e trefishtë e Europës në kampionatin europian për të rinj dhe U23, duke ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në një paraqitje spektakolare, Carja theu tre rekorde europiane në kategorinë Youth (63 kg), si dhe një rekord bote në shkëputje, duke dëshmuar forcën, teknikën dhe karakterin e një kampioneje të lindur.

Rezultatet historike të Carjës:

  • Shkëputje: 98 kg
  • Shtytje: 118 kg
  • Dygarësh: 216 kg

E reja durrsake i realizoi me sukses të gjashta provat, duke treguar qetësi, vendosmëri dhe teknikë perfekte — fryt i punës së palodhur dhe disiplinës së ndërtuar nën drejtimin e trajneres Eglantina Kalemi.

Kjo paraqitje e shkëlqyer përmirësoi edhe rezultatin e saj nga Botërori i zhvilluar në Peru, ku Carja kishte ngritur 213 kg në total. Me 216 kg në Europian, ajo dëshmoi një rritje të ndjeshme në performancë dhe një ecuri të pandalshme drejt majës së sportit botëror.

Ky sukses përbën një arritje për klubin “Teuta” dhe mbarë sportin shqiptar, duke i dhënë vendit tonë një tjetër arsye për krenari në arenën ndërkombëtare.