Kreu Drejtësi Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës, jep dëshmi për hetimet mbi...

Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës, jep dëshmi për hetimet mbi aeroportin e Vlorës

Biznesmeni dhe politikani i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje për disa orë në lidhje me hetimet që po zhvillohen për projektin e aeroportit të Vlorës.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se Pacolli është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes, ndërsa qëndrimi i tij në ambientet e prokurorisë ka zgjatur rreth katër orë.

Hetimet, të regjistruara në Prokurorinë e Tiranës prej disa muajsh, lidhen me mosmarrëveshjet mes aksionerëve në projektin e aeroportit dhe me një procedim penal për veprën penale të mashtrimit, sipas njoftimeve të mëparshme të organit të akuzës.

Në dalje nga prokuroria, Pacolli nuk dha detaje për përmbajtjen e dëshmisë, por u shpreh se kishte shkuar për të sqaruar kronologjinë e ngjarjeve dhe për të dhënë informacione mbi kallëzimin e bërë.

Unë isha këtu për të dhënë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar dhe si person i informuar më është dukur e drejtë të vij dhe të sqaroj çështjen. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ndërsa ne i jemi përgjigjur kallëzimit të tyre,” – deklaroi Pacolli.

Biznesmeni sqaroi gjithashtu se kallëzimi penal është bërë nga vëllai i tij ndaj disa personave të përfshirë në projekt, pa dhënë emra, ndërsa mohoi çdo përfshirje të qeverisë shqiptare në këtë proces.

Këtu nuk ka të bëjë qeveria. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria. Nuk ka lidhje fare me qeverinë. Unë e kam lënë çështjen në duart e drejtësisë dhe besoj shumë në vendimet gjyqësore,” – shtoi Pacolli.

Pavarësisht hetimeve dhe konflikteve të brendshme mes aksionerëve, Pacolli u shpreh me siguri për vazhdimësinë e projektit:

Aeroporti do të bëhet,” – tha shkurt para gazetarëve.

Aeroporti i Vlorës është një nga projektet strategjike më të mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë, me investime të përbashkëta shqiptare e të huaja, por që është shoqëruar me mosmarrëveshje ligjore mes ortakëve që kanë vonuar ecurinë e punimeve.