Një arsenal i vërtetë lufte është zbuluar në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë!
Në pranga ka rënë 34-vjeçari Eugert Sino, i cili zotëronte një “magazinë” të plotë armësh, municionesh dhe pajisjesh të sofistikuara, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Operacioni u zhvillua në rrugën “Myslym Shyri”, ku policia kontrolloi një furgon që drejtohej nga Sino. Ajo që zbuluan brenda mjetit i ka lënë hetuesit pa fjalë — një arsenal që të kujton bazat ushtarake!
Ja çfarë u gjet në furgonin e 34-vjeçarit:
- 12 pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
- 6 armë automatike;
- 5 armë me tytë të gjatë (snajperë me optikë);
- 1 silenciator;
- 17 krehra armësh;
- 15 mijë fishekë;
- 17 kuti me pranga si ato të Policisë;
- 12 celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë;
- pajisje gjurmuese (GPS), bllokues valësh dhe numërues parash;
- 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Sipas hetimeve paraprake, armët ishin trafikuar nga Kosova dhe do të përdoreshin nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Në vijim, policia ka zbuluar edhe bazën kryesore ku ruheshin armët, po në të njëjtën zonë të “Myslym Shyrit”.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Eugert Sino është i njohur për drejtësinë, me precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë pjesë e të njëjtit rrjet të rrezikshëm.
Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë zinxhirin kriminal që fshihet pas këtij arsenali tronditës.









