Kreu Drejtësi Berisha: Për një vendim gjykate duhen 1200 ditë – drejtësia shqiptare e...

Berisha: Për një vendim gjykate duhen 1200 ditë – drejtësia shqiptare e bllokuar nga Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për bllokimin e sistemit të drejtësisë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë po përballen me vonesa të papranueshme në marrjen e vendimeve gjyqësore.

Gjatë një konference për mediat, përpara mbledhjes me Grupin Parlamentar të PD-së, Berisha komentoi raportimin në Kuvend të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela. Ai u shpreh se drejtuesit e institucioneve të drejtësisë “thanë të vërtetën” për gjendjen e rëndë të sistemit.

Sipas tij, sistemi gjyqësor shqiptar është në kolaps, me qytetarët që detyrohen të presin deri në 1200 ditë për një vendim gjykate. Berisha e cilësoi këtë situatë si një pasojë direkte të ndërhyrjes politike në drejtësi dhe të “kapjes së institucioneve nga pushteti”.

Kreu i opozitës theksoi se reforma në drejtësi ka dështuar në objektivin e saj për të garantuar drejtësi të shpejtë e të paanshme, duke e quajtur atë “një instrument në duart e qeverisë për të mbrojtur korrupsionin”.