Kreu Ekonomi Japonia dhe SHBA hapin faqe të re strategjike: marrëveshje historike për mineralet...

Japonia dhe SHBA hapin faqe të re strategjike: marrëveshje historike për mineralet e rralla

Tokio dhe Uashingtoni kanë hyrë në një etapë të re bashkëpunimi strategjik me nënshkrimin e një marrëveshjeje për sigurimin e burimeve të rralla minerale, që konsiderohen thelbësore për teknologjitë e avancuara dhe mbrojtjen. Marrëveshja u firmos të martën në Tokio gjatë vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, ku ai u prit nga kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi.

Takaichi, e cila vetëm pak ditë më parë mori zyrtarisht detyrën si gruaja e parë në historinë e Japonisë që udhëheq qeverinë, e cilësoi takimin me Trump si “fillimin e një epoke të artë në aleancën SHBA–Japoni”. Ajo vlerësoi rolin e presidentit amerikan në nxitjen e paqes ndërkombëtare dhe njoftoi se do ta propozojë atë për Çmimin Nobel për Paqe.

Dua të ndërtojmë një aleancë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të begatë se kurrë më parë,” deklaroi Takaichi pas ceremonisë së nënshkrimit.

Trump, që ndodhet në Azi për një turne diplomatik e tregtar që përfshin edhe bisedime me Kinën, e cilësoi Japoninë “një partner të jashtëzakonshëm” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në industrinë e teknologjisë dhe mbrojtjes.

Marrëveshja përfshin masa për sigurimin e furnizimeve me elemente të rralla dhe materiale kritike, të cilat janë bërë objekt i tensioneve të fundit tregtare me Pekinin. Kina kohët e fundit ka vendosur kufizime në eksportet e këtyre mineraleve, duke shtuar shqetësimet për zinxhirët globalë të furnizimit.

Në një gjest miqësor, Trump kërkoi falje për vonesën në takim, duke zbuluar se po ndiqte ndeshjen e “World Series” ku luanin yjet japonezë Shohei Ohtani dhe Yoshinobu Yamamoto për Los Angeles Dodgers.

Takaichi, e njohur për qëndrimet e saj të forta ndaj Kinës, përsëriti synimin për ta rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së që këtë vit, shumë më herët nga afatet e planifikuara. SHBA ka mirëpritur këtë angazhim, duke e parë si një sinjal të qartë për forcimin e sigurisë rajonale.

Pas qëndrimit në Japoni, Trump pritet të udhëtojë në Korenë e Jugut për një takim me presidentin kinez Xi Jinping, që mund të shënojë një kthesë në marrëdhëniet tregtare mes dy fuqive ekonomike.