Një video e postuar në TikTok ka ndezur gjithë rrjetin dhe ka kthyer një histori dorëzimi ushqimi në një skandal kombëtar.
Livie Rose Henderson, një shpërndarëse e DoorDash nga Nju Jorku, pretendoi më 12 tetor se ishte “sulmuar” seksualisht gjatë një porosie, pasi gjeti klientin me derën e hapur dhe të zhveshur nga mesi e poshtë.
Në video, ajo tregon e tronditur për momentin kur u përball me burrin që, sipas saj, “qëndronte ashtu qëllimisht”. Por historia mori kthesë të menjëhershme. Henderson tha se kompania DoorDash i mbylli llogarinë pa paralajmërim, policia nuk pranoi ta hetonte rastin dhe videot e saj nisën të zhdukeshin nga rrjetet sociale. Për shumë përdorues, kjo ishte prova se sistemi po e heshtte.
Por versioni i dytë i ngjarjes e përmbysi gjithçka. DoorDash doli me deklaratë ku sqaroi se Henderson kishte filmuar klientin brenda banesës së tij pa leje dhe kishte shpërndarë pamje që zbulonin identitetin e tij. Sipas kompanisë, klienti kishte kërkuar që ushqimi të lihej jashtë derës dhe ishte në gjumë gjatë momentit të dorëzimit.
Në pak orë, rasti u kthye në një luftë virtuale. Në TikTok, Reddit dhe X, miliona njerëz po debatojnë: kush është viktima dhe kush është fajtori? Njëra palë e sheh Henderson-in si një grua të guximshme që denoncoi një burrë të ekspozuar. Tjetra e akuzon për mashtrim, përpjekje për famë dhe shkelje të privatësisë.
Situata u bë edhe më kaotike kur filluan të qarkullonin video të modifikuara me inteligjencë artificiale (AI). Këto klipet “të reja” ngatërruan publikun edhe më shumë, pasi askush nuk ishte më i sigurt çfarë është origjinale dhe çfarë është trillim dixhital.
Aktualisht, Henderson ka paralajmëruar se do të padisë DoorDash për shkelje të të drejtave të saj, ndërsa thuhet se edhe klienti po përgatit kundërpadi për cenim privatësie. Ndërkohë, asnjë hetim zyrtar nuk është hapur.
Ngjarja ka zbuluar fytyrën e re të epokës sonë digjitale – një botë ku një video mund të shkatërrojë reputacione përpara se të dihet e vërteta, dhe ku çdo rrjet social kthehet në gjykatë publike.
Në fund, historia e “Vajzës së DoorDash-it” është thjesht një pasqyrë e realitetit tonë modern: një derë e hapur, një klikim, dhe gjithë bota vërshon brenda.









