Ndryshimet në gjoksin e meshkujve janë më të zakonshme se sa mendohet. Ndonjëherë është vetëm dhjam. Ndonjëherë është rritje e indit të gjirit. Dhe, në raste të rralla, mund të jetë kancer.
Shumë burra vërejnë se gjoksi i tyre duket më i plotë — ndonjëherë me shaka, ndonjëherë me siklet. Për disa, kjo është rezultat i shtimit të dhjamit. Për të tjerë, bëhet fjalë për gjinekomasti, termi mjekësor për rritjen e indit të vërtetë të gjirit. Në shumë raste, ndodhin të dyja njëkohësisht.
Studimet tregojnë se 30% deri në 50% e meshkujve të shëndetshëm mund të kenë një nivel të gjinekomastisë asimptomatike gjatë jetës së tyre, pra, gati gjysma e burrave mund të përjetojnë një farë zgjerimi të gjirit edhe pa e vënë re.
Në trupin mashkullor, gjoksi përbëhet nga dy komponentë kryesorë: dhjam dhe inde gjëndrore. Dhjami përcakton madhësinë dhe formën, ndërsa indi gjëndror reagon ndaj hormoneve. Tek burrat, testosteroni e mban këtë ind të vogël dhe të pazhvilluar, por struktura ekziston — me kanale, gjëndra dhe thithka. Kjo shpjegon pse burrat mund të zhvillojnë gjendje si gjinekomastia apo, më rrallë, kancer gjiri.
Në raste shumë të rralla, burrat madje mund të prodhojnë qumësht, pasi kanë të njëjtat struktura bazë si gratë. Megjithatë, kjo ndodh vetëm kur balanca hormonale ndërpritet, si për shembull nga disa ilaçe, çrregullime të hipofizës, sëmundje të mëlçisë apo trajtime hormonale për kancerin e prostatës.
Lloji më i zakonshëm i “gjoksit të fryrë” është pseudogjinekomastia, e cila ndodh për shkak të grumbullimit të dhjamit në zonën e gjoksit. Ajo është shumë e përhapur. Si shembull, 2 në 5 meshkuj në SHBA janë të klasifikuar si obezë. Ky lloj gjoksi ndihet i butë, jo i fortë apo i dhimbshëm dhe zakonisht përmirësohet me humbje peshe, ushtrime fizike dhe ushqyerje të shëndetshme.
Në rastin e gjinekomastisë së vërtetë, rritja ndodh në indin gjëndror nën thithkë dhe areolë, shpesh është më e fortë dhe ndonjëherë e dhimbshme. Kjo ndodh kur balanca midis testosteronit dhe estrogjenit ndryshon. Gjatë pubertetit, deri në dy të tretat e djemve mund të përjetojnë gjinekomasti kalimtare, e cila zakonisht zhduket vetë me kalimin e kohës.
Megjithatë, gjinekomastia mund të shfaqet sërish në moshë të pjekur, sidomos kur niveli i testosteronit bie natyrshëm ose nëse përdoren ilaçe që ndikojnë në hormonet, si finasteride apo bicalutamide. Edhe alkooli, kanabisi dhe steroidet anabolike mund të kontribuojnë në këtë gjendje, po ashtu si sëmundjet e tiroides, mëlçisë ose veshkave.
Për shumë burra, gjinekomastia ndikon në besimin dhe mirëqenien emocionale, duke çuar në shmangien e situatave publike si palestra apo plazhi. Mjekët theksojnë se kjo nuk është një çështje kotësie, por e shëndetit dhe vetëvlerësimit.
Edhe pse shumica e rasteve janë të padëmshme, çdo gunga e fortë, rritje e njëanshme e gjirit, sekretim apo zmadhim i shpejtë duhet të kontrollohet menjëherë nga mjeku, pasi rreth 1% e të gjitha rasteve të kancerit të gjirit ndodhin te burrat.
Trajtimi varet nga shkaku: ndalimi i ilaçeve që shkaktojnë ndryshime hormonale, ulja e konsumit të alkoolit ose substancave, humbja e peshës dhe ushtrimet fizike ndihmojnë shumë. Në rastet kur indi gjëndror nuk zhduket, kirurgjia e reduktimit të gjirit mashkullor është një zgjidhje efektive dhe e zakonshme.
Nëse niveli i testosteronit është i ulët, terapia hormonale mund të ndihmojë, por përdorimi i saj pa mbikëqyrje mjekësore mund ta përkeqësojë gjendjen, pasi testosteroni i tepërt mund të kthehet në estrogjen dhe të nxisë rritje të mëtejshme të indit të gjirit.
Në fund, shumica e rasteve të “gjoksit mashkullor” janë të padëmshme, por ia vlejnë të diskutohen hapur me mjekun për të kuptuar shkaqet dhe për të zgjedhur trajtimin e duhur.
Burimi: CNN Health / Dr. Jamin Brahmbhatt









