Kreu Drejtësi Belinda Balluku në fokusin e SPAK: Një fletëthirrje dhe shumë pikëpyetje

Belinda Balluku në fokusin e SPAK: Një fletëthirrje dhe shumë pikëpyetje

Një fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme ka rikthyer në qendër të vëmendjes politike dhe publike zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Burime të sigurta konfirmojnë se numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur nga SPAK për t’u paraqitur të hënën përpara prokurorëve të posaçëm, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera.

Fletëthirrja, e firmosur nga prokurori Dritan Prençi, i është dorëzuar Ballukut në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo përmban një detaj që ngre peshë: zëvendëskryeministres i kërkohet të jetë e shoqëruar nga një avokat, një procedurë që tregon se SPAK mund të jetë gati t’i komunikojë akuzë penale.

Në këtë fazë, gjithçka zhvillohet pa masë sigurie dhe, për rrjedhojë, pa nevojë për miratim nga Kuvendi, çka shmang përplasjet politike që zakonisht shoqërojnë raste të ngjashme.

SPAK nuk ka dhënë ende detaje për dosjen konkrete, por burime pranë institucionit flasin për një sërë kallëzimesh të hapura ndaj Ballukut, mes tyre edhe ai i njohur për tunelin e Llogarasë.

Ndërkohë, hetimet kanë marrë edhe një tjetër drejtim. Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se janë kryer kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të afërt të Ballukut.

Zhvillimi ka ngritur një valë pikëpyetjesh: A do të paraqitet Balluku përpara prokurorëve? A do të vijojë detyrën si zëvendëskryeministre në një moment kur SPAK duket i vendosur të shkojë deri në fund të hetimeve? Apo do të zgjedhë të tërhiqet përkohësisht, për të përballuar procesin pa peshën e postit politik?

Për momentin, as ministrja dhe as qeveria nuk kanë dhënë një reagim zyrtar.