Një nga zërat më të njohur në luftën kundër trafikimit seksual, Virginia Giuffre, është rikthyer në qendër të vëmendjes botërore pas publikimit të librit të saj me kujtime, “Nobody’s Girl: A Memoir of Surviving Abuse and Fighting for Justice.”
Në këtë rrëfim të drejtpërdrejtë dhe tronditës, Giuffre flet për vitet e errëta të abuzimit dhe manipulimit që përjetoi si pjesë e rrjetit famëkeq të Jeffrey Epstein, një sistem që ajo e përshkruan si “një botë e fuqisë, frikës dhe heshtjes.”
Giuffre, e cila ishte vetëm 16 vjeçe kur u rekrutua nga rrjeti i Epstein, tregon për abuzimet e përsëritura që përfshinin figura të njohura të politikës, biznesit dhe shoqërisë elitare. Në libër, ajo përmend një “kryeministër shumë të njohur” pa dhënë emër, për shkak të kërcënimeve dhe frikës për sigurinë e saj. Ky detaj ka ndezur debat të madh në media ndërkombëtare, ndërsa CNN, BBC, dhe The Guardian kanë raportuar për valën e interesit që ka shkaktuar publikimi.
Në kujtimet e saj, Giuffre rrëfen momente rrëqethëse të dhunës, të shoqëruara me ndjenja pafuqie dhe poshtërimi. “Ai qeshte ndërsa unë i lutesha të ndalonte,” shkruan ajo, duke përshkruar një prej episodeve më të rënda që përjetoi.
Giuffre ka qenë më parë në qendër të një skandali ndërkombëtar për shkak të padisë ndaj princit Andrew të Mbretërisë së Bashkuar, e cila u zgjidh jashtë gjykate në vitin 2022.
Përtej traumës, Virginia e ktheu historinë e saj në një mision: themeloi organizatën “SOAR” për të ndihmuar viktimat e tjera të trafikimit seksual dhe për të luftuar heshtjen që shpesh shoqëron këto krime.
Vdekja e saj në prill të vitit 2025, në moshën 41-vjeçare, u cilësua si vetëvrasje nga autoritetet australiane, por shumë mbështetës të saj e kanë cilësuar “të dyshimtë,” duke kërkuar hetim të plotë.
Libri i saj i fundit është cilësuar nga kritika ndërkombëtare si një dëshmi e guximshme që ekspozon errësirën pas pasurisë dhe pushtetit.









