Kreu Newsbuf OSBE/ODIHR shkund pushtetin me akuzat për frikë, presione dhe votë të deformuar...

OSBE/ODIHR shkund pushtetin me akuzat për frikë, presione dhe votë të deformuar më 11 maj

Raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 solli sot një goditje tё fortë politike në Tiranë, duke përshkruar një proces që, ndonëse teknikisht i organizuar mirë, u zhvillua “nën një atmosferë frike, presionesh dhe abuzimi masiv me pushtetin”. Dokumenti prej 45 faqesh e cilëson garën “kompetitive por pa kushte të barabarta”, duke shënuar një prej kritikave më të drejtpërdrejta ndaj qeverisë Rama në dekadën e fundit.

Sipas raportit, “partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi i institucioneve publike, duke e fshirë praktikisht vijën që ndan shtetin nga partia”. Vëzhguesit e OSBE-së evidentojnë se punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të Partisë Socialiste, ndërsa disa anëtarë të komisioneve zgjedhore të propozuar nga opozita u zëvendësuan në minutën e fundit “pas kërcënimeve”.

Në raport përmenden edhe praktika të hapura patronazhi, përdorimi i databazave me të dhëna të qytetarëve, si dhe “tentativa për të ndikuar votuesit vulnerabël përmes punësimit apo ndihmës sociale”. Një pjesë e raportit e përshkruan klimën në terren si “të ngarkuar me intimidim, blerje vote dhe ndërhyrje të personave të lidhur me partitë”, ndërsa në disa zona u raportua pjesëmarrje aktive e elementeve të krimit të organizuar.

Një tjetër pjesë goditëse e raportit i referohet fushatës së kryeministrit dhe ministrave, të cilët “shfrytëzuan aktivitetet zyrtare për të promovuar arritjet e qeverisë në kulmin e periudhës zgjedhore”, përfshirë inaugurimin e aeroportit të Vlorës, prezantime projektesh infrastrukturore dhe shpërndarje bonuse për pensionistët “në prag të votimit”. ODIHR e quan këtë “një shembull të qartë të përdorimit të shtetit për përfitim elektoral”, duke shtuar se KQZ “në shumicën e rasteve refuzoi të hetojë” abuzimet e raportuara.

Në kapitullin për median, raporti flet për një “mjedis të ngulfatur nga kontrolli politik dhe autocensura”, ku televizione të mëdha “reflektuan më shumë narrativën e qeverisë sesa pluralizmin e mendimit”. Defamimi penal dhe presioni ekonomik ndaj gazetarëve, sipas ODIHR, “kanë shuar rolin e medias si mbikëqyrëse e procesit”.

Një detaj i veçantë, që bie në sy, është fakti se asnjë parti nuk publikoi listën e donatorëve apo huave gjatë fushatës, duke e bërë financimin elektoral “tërësisht të paqartë dhe jashtë çdo kontrolli”.

Për më tepër, edhe pse për herë të parë u lejua votimi nga jashtë vendit, sistemi u shoqërua me kaos organizativ dhe mijëra vota të refuzuara. Raporti përmend se mbi 41 mijë aplikime të emigrantëve u hodhën poshtë, shumica për shkak të dokumenteve të munguar, ndërsa disa kuti me fletë votimi nga Greqia “u kontestuan për parregullsi në numërim”.

Në përfundim, ODIHR kërkon nga Shqipëria një reformë të thellë zgjedhore, duke paralajmëruar se “për sa kohë rekomandimet mbeten në letra, zgjedhjet nuk mund të konsiderohen plotësisht demokratike”.

Ky raport pritet të ketë jehonë të gjerë politike, teksa opozita e ka cilësuar menjëherë si “certifikatë ndërkombëtare për deformimin e votës”, ndërsa mazhoranca ka reaguar duke theksuar “vlerësimin pozitiv për menaxhimin teknik të procesit”. Por mes rreshtave të raportit, fjalia që ka mbetur në veshët e të gjithëve është më e qarta: Zgjedhjet ishin të qeta, por jo të barabarta. Dhe vota e lirë, për shumë shqiptarë, mbeti ende një privilegj, jo një e drejtë.