Një sfidë e re që po qarkullon në rrjetet sociale po ngre shqetësim në mbarë botën. Fëmijë të vegjël po inkurajohen t`i vёnё zjarrin kukullave apo lodrave, duke imituar skena filmash horror që shfaqen në video virale. Ajo që fillon si lojë përfundon në tragjedi të mundshme.
Specialistët paralajmërojnë se ndezja e materialeve si pëlhurë, plastikë apo fibrat sintetike të lodrave çliron gaze toksike dhe mund të përhapë zjarrin në pak sekonda, sidomos në ambiente të mbyllura. Përveç rrezikut fizik, këto trende ushqejnë ndjesi frike dhe dhune, duke ndikuar në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë realitetin dhe argëtimin.
Në disa raste, fëmijët janë lënduar rëndë duke tentuar të imitojnë “sfidat” e pamenduara që shfaqen online. E gjitha për disa sekonda famë, për disa klikime më shumë, apo për një video që bëhet virale.
Ekspertët e zhvillimit të fëmijëve nënvizojnë se prindërit duhet të qëndrojnë të përfshirë aktivisht në botën dixhitale të fëmijëve të tyre: të dinë çfarë shohin, me kë ndërveprojnë dhe cilat “sfida” i frymëzojnë. Një klik i vogël mund të ketë pasoja të mëdha.
“Siguria dhe ndërgjegjësimi duhet të vijnë gjithmonë përpara argëtimit,” theksojnë psikologët. Interneti mund të jetë një mjet i fuqishëm edukimi e komunikimi, por në duar të papërgatitura mund të bëhet rrezik që djeg më shumë se çdo zjarr i vërtetë.
Ndaj mos lejoni videot virale të udhëheqin fëmijët tuaj. Mos lejoni një trend të marrë vendin e arsyes. Sepse pas çdo “loje” të rrezikshme fshihet një histori që mund të mos përfundojë mirë.









