Një hetim i gjatë që nisi nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka përfunduar me dërgimin për gjykim të një grupi të gjerë punonjësish të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Prokuroria e Tiranës ka finalizuar dosjen ndaj 20 zyrtarëve që, sipas hetimeve, kanë abuzuar me tendera publikë në vlera që arrijnë në qindra miliona lekë.
Sipas KLSH-së, që ngriti kallëzimin fillestar, në Ministrinë e Bujqësisë janë zhvilluar shtatë procedura prokurimi me shkelje të rënda ligjore. Këto tendera, me një fond total prej 525 milionë lekësh pa TVSH, janë kryer kryesisht me negociim pa shpallje paraprake, një praktikë që ka shërbyer shpesh si terren për abuzime të fshehta. Pas verifikimeve, Prokuroria ka arritur në përfundimin se testimet e tregut ishin fiktive, kriteret ishin hartuar në mënyrë të qëllimshme për të përjashtuar ofertues të tjerë, ndërsa disa kontrata ishin zbatuar vetëm “në letër”.
Në mesin e procedurave të dyshuara janë tenderat për “blerje pajisjesh për shërbimin veterinar” – ku përfshiheshin motoçikleta, kaska, doreza e çanta për veterinerët në terren – dhe tenderi për “blerje gjedhësh për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga sëmundja e dermatozës nodulare”. Sipas hetuesve, këto dy procedura janë shembull tipik i mënyrës se si fondet publike janë përdorur për qëllime fiktive, përmes dokumenteve të manipuluara dhe ofertave të paracaktuara.
Në listën e të pandehurve përfshihen: Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero, Aldin Lika, Ermira Riznavolli, Ismet Bici, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Nica dhe Admir Ago. Sipas aktakuzës, këta persona, në rolin e anëtarëve të komisioneve të prokurimit, kanë miratuar dokumente pa verifikim, kanë shmangur rregullat e garës dhe kanë firmosur kontrata që kanë dëmtuar interesin e shtetit.
Prokuroria vëren se një pjesë e tenderave janë zhvilluar pa përmbushur as kushtet minimale ligjore. “Kriteret e përzgjedhjes u përcaktuan në mënyrë të padrejtë dhe testimi i tregut u bë thjesht për të krijuar përshtypjen e një procedure të rregullt,” – shkruhet në aktin e dërgimit për gjykim. Në disa raste, nuk është gjetur as dokumentacioni i dorëzimit të mallrave të blera, ndërsa pagesat janë bërë në mënyrë të pajustifikuar.
Prokuroria ka konkluduar se në të gjitha rastet është konsumuar vepra penale e “shpërdorimit të detyrës”, duke theksuar se të pandehurit kanë vepruar në bashkëpunim për të miratuar tendera që shkelin hapur ligjin e prokurimeve publike. Dosja tashmë ndodhet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku 20 zyrtarët do të përballen me drejtësinë.
Ky skandal tregon edhe një herë se si fondet publike për sektorin e bujqësisë – të destinuara për mbështetjen e fermerëve dhe përmirësimin e shërbimeve veterinare – janë kthyer në burim përfitimesh personale. Ndërkohë që në terren mungojnë pajisjet, shërbimet dhe mbështetja për fermerët, në zyrat e ministrisë tenderat për “gjedhë e motoçikleta” janë përdorur për të ushqyer një sistem të vjetër abuzimi me fonde publike.









