Një grabitje e guximshme ka tronditur kryeqytetin francez dhe botën e artit. Katër persona të maskuar, të pajisur me mjete prerëse industriale, hynë të dielën paradite në Muzeun e Louvre-it dhe morën tetë objekte të paçmueshme nga Galeria e Apollonit, salla që strehon bizhuteritë e kurorës franceze.
Operacioni zgjati më pak se shtatë minuta — aq sa mjaftoi që grupi të përfundonte një nga vjedhjet më spektakolare të dekadës në qendër të Parisit, vetëm pak qindra metra larg selisë së policisë.
Sipas burimeve të hetimit, grabitësit përdorën një kamion me platformë ngritëse për të depërtuar nga fasada përballё me lumin Senë, pjesë ku po zhvilloheshin punime restaurimi. Me ndihmën e një disku prerës elektrik, ata çanë xhamat e trashë të galerisë dhe thyen vitrinat e ekspozitës pa ndezur asnjë alarm. Në pak minuta morën plaçkën e tyre dhe u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. Policia ka gjetur vetëm një nga objektet e vjedhura – kurorën e Perandoreshës Eugénie, e stolisur me 1.354 diamante dhe 56 smaragde – e cila u kishte rёnё gjatë arratisjes.
Në listën e sendeve të zhdukura përfshihen tiara, varëse, vathë dhe karfica që dikur i përkisnin figurave historike si Mbretëresha Marie-Amélie, Hortense dhe Perandoresha Marie-Louise. Megjithatë, diamanti legjendar “Regent”, me vlerë mbi 60 milionë dollarë, që ndodhej në të njëjtën galeri, ka mbetur i paprekur. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë nëse kjo ka qenë pjesë e planit, apo një shenjë se hajdutët vepronin me një objektiv të caktuar.

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, e cila mbërriti në vendngjarje pak minuta pas sinjalizimit, tha se grabitja u krye me “një nivel profesionalizmi të frikshëm”. “Ata nuk përdorën dhunë, nuk kërcënuan askënd. Ishte një veprim kirurgjikal, i studiuar deri në detaj,” u shpreh ajo.
Presidenti Emmanuel Macron, në një reagim të menjëhershëm, e cilësoi ngjarjen si “një plagë të rëndë për trashëgiminë franceze” dhe premtoi se “autorët do të kapen dhe thesaret do të rikthehen”.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez e përshkroi grupin si “një skuadër profesionistësh që kishte studiuar terrenin për javë të tëra”. Ai konfirmoi se xhamat e galerisë janë prerë me pajisje të sofistikuara dhe se “çdo veprim është kryer me kohë të sinkronizuar, sikur të ishte një operacion ushtarak”.
Pas grabitjes, muzeu u mbyll menjëherë, vizitorët u evakuuan dhe policia rrethoi perimetrin. Dëshmitarët thanë për mediat franceze se gjithçka ndodhi aq shpejt dhe në heshtje, sa shumëkush mendoi se po xhirohej një skenë filmi. Ndërkohë, hetuesit po analizojnë pamjet e sigurisë dhe kanë nisur ndjekjen e një rruge të mundshme arratisjeje që çon drejt periferisë veriore të Parisit.
Ky incident ka ringjallur kujtimet e grabitjes legjendare të “Mona Lisa” në vitin 1911 dhe ka shtuar presionin ndaj drejtuesve të muzeut, të cilët vetëm muajt e fundit kishin paralajmëruar për mungesë fondesh në sistemet e sigurisë. Me mbi 8.7 milionë vizitorë në vit, Louvre është muzeu më i frekuentuar në botë — por edhe një shënjestër e përhershme për koleksionistët dhe rrjetet kriminale të tregtisë së arteve të vjedhura.
Ekspertët e artit e kanë quajtur këtë ngjarje si “grabitja më e pastër dhe më e heshtur e shekullit”. Nëse objektet nuk gjenden brenda ditëve të para, thonë ata, ato mund të zhduken për dekada në tregun e zi ndërkombëtar. Për momentin, Franca gjendet përballë një enigme kriminale që ka tronditur opinionin publik dhe ka lënë në hije vetë yllin e Louvre-it – Mona Lisa-n.
Burimi: France 24, AFP, Le Parisien









