Kreu Pikante Pijedashësi i UÇK-së

Pijedashësi i UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, u bë pjesë e protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Kosovës (OVL-UÇK) në Sheshin “Skënderbej” të Tiranë, ndonëse partia e tij kishte njoftuar zyrtarisht se do ta bojkotonte. Tubimi, i zhvilluar nën moton “Liri për ish-krerët e UÇK-së”, kishte për qëllim të shprehte mbështetje për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Ndërkohë që shumica e deputetëve të PD-së qëndruan larg protestës, Leskaj u pa mes turmës duke kënduar himnin kombëtar dhe duke thirrur “Lavdi”. I pyetur nga gazetarët përse kishte thyer urdhrin e kryetarit të partisë, Sali Berisha, ai u përgjigj me një ton sfidues: “E kush po e rruan për urdhrat?” – një deklaratë që menjëherë u bë virale dhe shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale.

Pjesëmarrja e tij u interpretua si një gjest i pavarur dhe rebel ndaj linjës zyrtare të PD-së, por ajo u shoqërua edhe me polemika për sjelljen e deputetit gjatë protestës. Disa pamje të shpërndara online tregojnë se Leskaj nuk kishte një paraqitje të denjë për një përfaqësues politik, duke dhënë përshtypjen se ndodhej në gjendje jo të qartë fizike dhe verbale, nёn efektin e alkoolit, çka la shije të hidhur te shumë pjesëmarrës dhe përkrahës të kauzës së UÇK-së.

Në vend që të përfaqësonte me dinjitet mbështetjen për çështjen e UÇK-së, deputeti demokrat u kthye në qendër të vëmendjes për arsye të gabuara — duke dëshmuar se, ndonjëherë, patriotizmi i shfaqur me gotë në dorë mund të bëhet fytyra më e shëmtuar e kujtesës kombëtare.