Ministria e Brendshme ka publikuar për konsultim publik Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit 2026–2028, një dokument voluminoz që shenjon fazën e re të përballjes së shtetit me kriminalitetin, trafikun dhe krimet e rënda.
Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë, strategjia e re vjen si vazhdim i dokumentit 2021–2025 dhe ka për qëllim “forcimin e institucioneve ligjzbatuese, rritjen e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar dhe përdorimin e teknologjisë për të goditur format moderne të krimit”. Dokumenti përfshin masa që shtrihen nga krimi financiar e pastrimi i parave, te krimi kibernetik, trafikimi i lëndëve narkotike, krimet mjedisore dhe përfshirja e të rinjve në aktivitete kriminale.
Në plan parashikohen mbi 56 miliardë lekë investime, ku 54% e fondeve do të mbulohen nga donatorët ndërkombëtarë. Synimet janë të shumta: goditja e rrjeteve kriminale, sekuestrimi dhe ripërdorimi i aseteve kriminale për qëllime sociale, forcimi i hetimeve financiare dhe bashkëpunimi me Europol e Interpol.
Në dokument theksohet gjithashtu se strategjia përputhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të integrimit në BE, duke e lidhur luftën ndaj krimit me përparimin e vendit drejt anëtarësimit.
Por përtej gjuhës zyrtare dhe objektivave ambicioze, mbetet për t’u parë nëse masat e përfshira në Planin e Veprimit janë realisht të zbatueshme apo mbeten në letër. Ekspertë të sigurisë kanë ngritur dyshime nëse hartimi i gjerë i dokumentit përkthehet në rezultate konkrete në terren, duke kujtuar se problemet e krimit të organizuar në Shqipëri kërkojnë jo vetëm plane strategjike, por edhe kapacitete reale, integritet institucional dhe vullnet politik të qëndrueshëm.
Strategjia është në konsultim publik deri më 12 nëntor 2025, dhe qytetarët mund të japin komente në portalin konsultimipublik.gov.al.









