Këtë të premte, në orën 17:00, sheshi “Skënderbej” do të kthehet në zemrën e një tubimi të madh kombëtar, ku veteranë të luftës, qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe figura publike do të kërkojnë drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që prej pesë vitesh mbahen në paraburgimin e Hagës.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se përgatitjet për këtë protestë kanë nisur prej muajsh. Ai theksoi se zgjedhja e Tiranës si vendi i protestës nuk është rastësore: “Kjo është një protestë me karakter kombëtar. Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur. Gjeneza jonë është në Tiranë, prandaj edhe protesta ndërkombëtare duhej të mbahej këtu,” – deklaroi Gucati.
Gucati pohoi se kryetarë komunash në Kosovë kanë vënë në dispozicion autobusë për të lehtësuar pjesëmarrjen. Ai shtoi se protesta e parë u mbajt në Prishtinë, më pas në Hagë, dhe tani është koha që zëri i drejtësisë të dëgjohet nga kryeqyteti shqiptar.
Në shesh pritet të flasin Ali Ahmeti, një i afërm i një dëshmori nga Shqipëria dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili ka pranuar ftesën për të mbajtur një fjalë përshëndetëse.
Gucati ka kritikuar mungesën e përfshirjes nga qeveria e Kosovës, duke theksuar se institucionet duhet të flasin me një zë të përbashkët për çështjen e Hagës. Ai tha se ende shpreson që Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës të miratojnë një rezolutë të përbashkët, që dënon mbajtjen e zgjatur të ish-drejtuesve të UÇK-së në paraburgim.
Në deklaratën e përbashkët të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe shoqatës “Tirana”, thuhet se protesta e Tiranës është një thirrje për unitet kombëtar dhe drejtësi ndërkombëtare.
“Kjo protestë vjen si thirrje për unitet kombëtar dhe drejtësi ndërkombëtare, në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së, e cila i dha fund një regjimi gjenocidal dhe solli lirinë që gëzojmë sot,” – theksohet në deklaratë.
Atmosfera në prag të tubimit është e ngarkuar me emocione dhe pritje. Veteranët dhe qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare pritet të bashkohen në një zë të vetëm për lirinë dhe dinjitetin e luftëtarëve të UÇK-së, me mesazhin se drejtësia s’mund të vonohet më gjatë.










