Qeveria ka miratuar vendimin nr. 590, datë 15 tetor 2025, i cili është botuar sot në Fletoren Zyrtare nr. 190. Me këtë akt, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar llojet dhe masën e tarifave për shërbimet elektronike që ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Vendimi është miratuar në mbështetje të ligjit nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike” dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit.
Sipas vendimit, AKSHI do të ofrojë shërbime elektronike për institucionet publike, subjektet private dhe qytetarët, kundrejt aplikimit të tarifave të caktuara. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore dhe transaksione në platformën qeveritare të ndërveprimit do të jenë pa pagesë.
Ndërsa për subjektet private parashikohen tarifa prej 4 800 lekësh për nënshkrim elektronik me vlefshmëri njëvjeçare, 20 lekë për çdo vulë elektronike apo transaksion, 4 000 lekë për certifikatë fiskalizimi dhe 15 lekë për çdo transaksion në platformën e ndërveprimit. Për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, nënshkrimi elektronik do të kushtojë 2 000 lekë në vit, ndërsa për nëpunësit e institucioneve publike me vetëfinancim tarifa është 4 800 lekë.
Vendimi përcakton se pagesa e tarifave do të kryhet në momentin e aplikimit on-line, përmes pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”. Kjo do të thotë se përdoruesit, në momentin që aplikojnë për një shërbim të caktuar, do të duhet të paguajnë menjëherë me kartë bankare përmes sistemit të integruar të pagesave në portal. Për disa shërbime, si nënshkrimi elektronik dhe certifikatat me vlefshmëri vjetore, pagesa do të bëhet në momentin e marrjes së shërbimit. Ndërsa për ato që tarifohen për klikim ose për përdorim, si shërbimet e vulës elektronike dhe të transaksioneve ndërvepruese, pagesa do të realizohet periodikisht çdo muaj, në bazë të numrit të përdorimeve gjatë periudhës përkatëse, duke u reflektuar në kohë reale në sistem.
Ky vendim sjell disa pasiguri për mënyrën se si do të zbatohet në praktikë, veçanërisht për qytetarët dhe bizneset që përdorin shërbimet përmes e-Albania. Terminologjia e përdorur në tekstin e VKM-së është e paqartë dhe lë hapësirë për interpretime të ndryshme. Nuk përcaktohet në mënyrë të prerë nëse tarifat për “vulë elektronike për transaksion” përfshijnë edhe shërbimet që qytetarët marrin përmes portalit e-Albania, të cilat deri më sot janë promovuar si falas.
Nëse këto tarifa do të aplikohen edhe për qytetarët, kostoja e përdorimit të dokumenteve elektronike do të rritet ndjeshëm, duke e bërë çdo veprim on-line të tarifuar individualisht. Por edhe në rast se tarifat prekin vetëm bizneset, ato përbëjnë një kosto shtesë për sektorin privat, e cila në mënyrë të pashmangshme mund të reflektohet në çmime më të larta për qytetarët, për shkak të efektit zinxhir të rritjes së kostove operative.
Paqartësi ngrihen gjithashtu lidhur me mënyrën e faturimit të këtyre tarifave mujore, nëse do të ketë njoftime automatike apo zbritje direkte nga karta e pagesës, si dhe për rastet kur transaksionet kryhen ndërmjet institucioneve përmes platformës së ndërveprimit “GG”. Në mungesë të një sqarimi të detajuar, ekziston rreziku që zbatimi praktik të sjellë ngarkesë administrative dhe financiare për përdoruesit, duke cenuar parimin e aksesit të lehtë dhe të barabartë në shërbimet elektronike.
Në përfundim, vendimi nr. 590 i Këshillit të Ministrave rikthen në fokus çështjen e tarifimit të shërbimeve digjitale qeveritare, duke e bërë pagesën pjesë të pandarë të përdorimit të nënshkrimit dhe vulës elektronike në çdo veprim online. Megjithatë, mënyra e interpretimit dhe zbatimit të tarifave për çdo transaksion mbetet një aspekt që kërkon sqarim të mëtejshëm nga institucionet përgjegjëse, për të shmangur paqartësi, ngarkesë shtesë financiare dhe pasoja indirekte në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që prekin drejtpërdrejt qytetarin.









