Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Nicole Kidman, ka paraqitur kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj, këngëtari i muzikës country Keith Urban, pas gati 20 vitesh martesë.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga The Epoch Times, Kidman, 58 vjeçe, ka depozituar kërkesën për divorc më 30 shtator në Gjykatën e Qarkut Davidson në Tenesi, duke përmendur “mospërputhje të pandreqshme” si arsye për ndarjen.
Procesi i divorcit pritet të zgjasë të paktën 90 ditë para se të marrë formën përfundimtare. Kjo kërkesë vjen vetëm një ditë pasi u raportua se çifti ishte ndarë që në qershor, sipas TMZ. Në atë periudhë, Kidman ndodhej në Londër për xhirimet e filmit të ri “Practical Magic 2”, ndërsa Urban ishte në turneun e tij botëror “High and Alive”.
Çifti ka dy vajza, për të cilat Kidman ka kërkuar të jetë prindi kujdestar kryesor. Sipas planit të paraqitur në gjykatë, vajzat do të kalojnë 306 ditë në vit me Kidman dhe 59 ditë me Urban.
Në dokument thuhet se: “Nëna dhe babai do të sillen me dashuri, stabilitet dhe përkushtim ndaj fëmijëve, pavarësisht se janë të divorcuar. Ata nuk do të flasin keq për njëri-tjetrin dhe do t’i inkurajojnë fëmijët të ruajnë marrëdhënie të shëndetshme me të dy prindërit.”
Të dy palët kanë rënë dakord të mbajnë pasuritë e tyre individuale dhe nuk do të kërkojnë as mbështetje financiare, as kujdestari ekonomike, pasi secili prej tyre fiton më shumë se 100,000 dollarë në muaj. Po ashtu, çdo të drejtë autoriale apo honorar artistik do të mbetet pronë e secilit.
Nicole Kidman dhe Keith Urban, të dy me origjinë australiane, u njohën në një gala në Los Angeles në vitin 2005 dhe u martuan në Sidnej në vitin 2006. Që prej vitit 2007, ata jetonin në Nashville, ku rritën vajzat e tyre.
Ky është fundi i një prej martesave më jetëgjata dhe më të qëndrueshme të Hollywood-it, e cila për gati dy dekada ishte simbol i dashurisë dhe mbështetjes reciproke.
Burimi: The Epoch Times










