Kompozitori dhe regjisori i njohur Osman Mula, një nga figurat më të spikatura të Radio Televizionit Shqiptar, ka tronditur sallën me një fjalim “pa dorashka” që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale. Në takimin mes strukturave drejtuese të RTSH-së dhe Komisionit Parlamentar të Medias, Mula foli hapur, me tone të forta e plot revoltë, për shkatërrimin e institucionit ku ai kaloi mbi 45 vite jetë profesionale, duke e kthyer fjalën e tij në një leksion të rrallë demokracie dhe përgjegjësie publike.
“Askujt nuk i dhemb më tepër se ne ish-punonjësve të Radio-Televizionit, sepse ne erdhëm fëmijë dhe dolëm pleq,” nisi ai me emocion, duke rikthyer për një moment respektin për brezat që ndërtuan me duart e tyre televizionin publik. Por pas kësaj hyrjeje të qetë, toni ndryshoi menjëherë. Mula akuzoi ashpër drejtuesit e viteve të fundit, veçanërisht ish-drejtorin Thoma Gëllçi, për prishjen e strukturave të brendshme, zhdukjen e kolegjiumeve dhe dorëzimin e produksioneve më të rëndësishme në duart e jashtme. “U dhanë 30 e ca punonjësve nga jashtë gjithë tenderat për emisione. Brenda s’bëhej më asgjë. Ne bënim vetëm apelin në orën 8 e në orën 4. Pa punë të gjithë!” – tha ai, duke shtuar se kjo filozofi ka kthyer RTSH-në në një institucion të zbrazët, pa shpirt, pa dinjitet profesional.
Në një nga momentet më të forta të fjalimit, Mula e preku drejtpërdrejt politikën dhe ndërhyrjen e saj brutale në mediat publike. “Politikan është ai drejtori i përgjithshëm që vjen nga kryetari i qeverisë,” theksoi ai, duke kujtuar se drejtuesit e vërtetë duhet të jenë profesionistë dhe jo të emëruar politikisht. “Kushdo që vjen në Radio-Televizion duhet ta dijë se është shërbëtor. Unë kam qenë shërbëtor aty bashkë me Zhani Cikon. Prandaj dolën ato festivale që nuk harrohen kurrë.”
Në një kthesë që la sallën të ngrirë, Mula sulmoi ashpër atë që ai e quajti “shoqëri civile të rreme” dhe median e vetëshpallur të pavarur. “Cila shoqëri civile? Ju? Ju jeni shoqëria civile?! Është shoqëria më e anatemuar në Shqipëri. Sorosjanë të thekur, që merrni nga 20, 30 milionë në muaj paga. Ju s’keni bërë asgjë për këtë komb.” – tha ai, duke shtuar se mediat shqiptare janë të pozicionuara hapur politikisht dhe se pavarësia është vetëm një fasadë. “Dihet kush me kë është. Syri me njërin, Klani me tjetrin, Topi me tjetrin. Kërkoni nga ne të jemi të pavarur, ju të pavarurit…”
Fjalët e tij vijuan si një rrëfim i gjatë, i mbushur me zhgënjim, për shkatërrimin e trashëgimisë artistike dhe kulturore të RTSH-së. “Koncertin e Vitit të Ri ta bën një stacion tjetër. Festivalin e Këngës ta bën një tjetër. Dhe pastaj thua: ‘Radio Televizioni Shqiptar paraqet’. Jo, është festivali i Top Channel-it ose i Klanit. RTSH është kthyer në shërbyes.” Ai denoncoi faktin që televizionit publik i mungon sporti, argëtimi, madje edhe vetë identiteti që e dallonte dikur. “Populli paguan taksën dhe nuk sheh asnjë ndeshje. As U-17, as Evropian, as Botëror. Pa sport, pa spektakël, pa art – nuk ka më televizion.”
Në një pasazh që është bërë më i cituari në rrjet, Mula foli me metafora të rënda për fatin e RTSH-së: “E morën si një vajzë të bukur, e çnderuan dhe e hodhën përpara Ambasadës Italiane, duke i vënë në ballë emrin ‘Radio-Televizioni Shqiptar’. Nuk është ai që ndërtuam ne.” Ai kujtoi emra të njohur që bёnё historinë e televizionit, duke përmendur Zhani Cikon, Ferdinand Samarxhiun, Dhimitër Gjokën, e të tjerë, të cilët – sipas tij – u larguan ose u harruan nga politika dhe menaxhimet e paafta.
“Politika i futi duart në çdo cep të Radio-Televizionit. Si njëra, si tjetra, kush më pak e kush më shumë. Radiotelevizionit i duhen profesionistë, jo nipër e vajza deputetësh.” – vijoi ai, me tone të drejtpërdrejta që përplasen si shuplaka. Në fund, Mula nuk mbylli me mllef, por me një lloj besimi se institucionit ende mund t’i rikthehet fryma. “Ne jemi gati të ndihmojmë me gjithë zemër që RTSH të ngrihet sërish në krye të klasifikimit. Ky vend ka nevojë për një televizion publik të vërtetë, të ndershëm, të lirë – jo të politizuar.”
Një fjalim i gjatë, i ashpër dhe emocional që u shndërrua në një “protestë artistike” përballë gjithë atyre që, siç tha ai, “e kanë marrë shtëpinë tonë dhe ia kanë çuar komshiut”. Osman Mula nuk foli si politikan, por si një njeri që ende beson se profesioni dhe pasioni mund të shpëtojnë një institucion të rrënuar nga politika dhe interesat. Dhe pikërisht për këtë, fjalimi i tij po përjetohet sot si një kujtesë e dhimbshme e asaj që dikur quhej “Televizioni i shqiptarëve”.









