13 Tetori 2025 do kujtohet po aq gjatë sa 7 Tetori 2023, por për një tjetër ngjarje. Pushoi zhurma e armëve, bombardimeve në Gaza dhe sirenave në Izrael. Hapi i parë i paqes u vendos: armëpushim në letër dhe në front.
Në kohën kur Presidenti Trump fluturonte me Air Force One drejt Izraelit, filloi shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve nga Hamasi dhe Izraeli. Palët kryen në mëngjes një shkëmbim të parashikuar: lirimin e gati 2,000 palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite dhe 20 robërve izraelitë të mbajtur në Rripin e Gazës. Emocionet e shkëmbimit nga të dyja palët ishin të papërshkrueshme.
Trump mbërriti në Izrael, ku u prit si hero. Mbajti një fjalim në Knessetin (Parlamentin) izraelit, ku u konsiderua si “Presidenti i Paqes”. Parlamentarët izraelitë e mbuluan Trump me duartrokitje dhe ovacione, ashtu si shumë njerëz të mbledhur jashtë Knesset, që e shohin Trump si heroin e shpëtimit të pengjeve të mbetura në duart e Hamasit për dy vjet.
Pas një fjalimi tipik me hiperbola, Trump lartësoi marrëdhënien me Izraelin, lavdëroi udhëheqësit e tij, armëpushimin dhe rrugën drejt paqes me Hamasin, pa përmendur në asnjë rast gjenocidin në Gaza.
Pas ndalesës disaorëshe në Izrael, Presidenti Donald Trump mbërriti në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku liderët globalë u mblodhën për një “Samit të shkurtër paqeje” mbi Gazën e shkatërruar nga lufta.
Udhëheqësit e Egjiptit, Katarit, Turqisë me në krye SHBA, nënshkruan një dokument që Trump e deklaroi themelor, që “do të përcaktojë rregullat dhe udhërrëfyesin” për zbatimin e armëpushimit Izrael-Hamas në të ardhmen. Trump deklaroi në këtë samit, në zemrën e botës arabe, se “kjo që u arrit sot nuk ka ndodhur për 3000 vjet”.
Retorika e veçantë lavdëruese e Trump në Samitin e Egjiptit preku të gjithë udhëheqësit arabë dhe europianë të pranishëm, ashtu si kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, bashkë me bashkëpunëtorët “e mirë” të Hamasit.
Pas të gjitha lëvdatave dhe komplimenteve, mbeten faktet e luftës së Izraelit në Gaza, ku janë vrarë të paktën 67,869 njerëz dhe janë plagosur 170,105 që nga tetori 2023. Një total prej 1,139 viktimash u vranë në Izrael prej Hamasit gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe rreth 200 të tjerë u morën robër.
Pasiguria dhe pasojat e një lufte të përgjakshme dyvjeçare shoqërojnë mbylljen e saj me armëpushimin e sotëm, të nënshkruar nga arabët, që i uli në tryezë Presidenti amerikan Donald Trump. Dhe kjo nuk mund të mohohet: është një “Big beautiful deal” – paqe e arritur – e gjitha e tij.









