Kreu Newsbuf Sistemi EES – Entry/Exit System – sot hyn në fuqi: Si do...

Sistemi EES – Entry/Exit System – sot hyn në fuqi: Si do t’i kalojnë kufijtë e Shengen shqiptarët?

Që nga sot, udhëtimi drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe zonës Shengen bëhet më i kontrolluar për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së, përfshirë shqiptarët. Sistemi i ri EES (Entry/Exit System) zëvendëson vulat në pasaportë me regjistrime digjitale dhe të dhëna biometrike.

Në aeroportet dhe pikat kufitare, udhëtarët do të kalojnë nëpër pajisje automatike që regjistrojnë fytyrën dhe gjurmët e gishtërinjve, ndërsa një ekran do t’u kërkojë të japin informacion për qëllimin e udhëtimit, kohëzgjatjen e qëndrimit dhe mënyrën e mbulimit të shpenzimeve.

Sipas kërkesave të reja, çdo vizitor që nuk është shtetas i BE-së duhet të ketë sigurim mjekësor udhëtimi, biletë kthimi, provë për akomodim dhe fonde të mjaftueshme për periudhën që planifikon të qëndrojë. Nëse këto dokumente mungojnë ose verifikimi nuk rezulton i kënaqshëm, autoritetet kufitare mund të kërkojnë kontrolle shtesë dhe në disa raste të refuzojnë hyrjen.

Ndryshimet prekin edhe qytetarët britanikë, të cilët pas Brexit konsiderohen si shtetas të vendeve të treta dhe për ta vlejnë të njëjtat rregulla si për çdo udhëtar tjetër jashtë BE-së. Autoritetet britanike kanë paralajmëruar se kontrollet do të jenë më të gjata dhe më të detajuara, prandaj udhëtarët duhet të jenë të përgatitur.

Ky sistem shënon fillimin e një reforme të gjerë të sigurisë kufitare europiane, e cila do të plotësohet në vitin 2026 me ETIAS (European Travel Information and Authorisation System) – një leje elektronike udhëtimi që do të kërkojë aplikim online, plotësim të të dhënave personale dhe pagesën e një tarife të vogël përpara nisjes, i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA. Faza e parë e zbatimit të EES nis sot në disa pika kufitare dhe pritet që deri më 10 prill 2026 të përfshijë të gjitha vendet e zonës Shengen.

Autoritetet paralajmërojnë se në javët e para mund të ketë pritje më të gjata dhe vonesa për shkak të procesit të ri të regjistrimit biometrik, ndaj udhëtarët këshillohen të nisen më herët dhe të kenë me vete të gjitha dokumentet e kërkuara.

Për shqiptarët që planifikojnë pushime, udhëtime pune apo vizita familjare në Europë, kjo nënkupton më shumë kujdes në përgatitje dhe kontroll të plotë të dokumentacionit përpara udhëtimit – nga sigurimi shëndetësor dhe rezervimi i hotelit deri te biletat e kthimit dhe mjetet financiare. Çdo detaj tani ka rëndësi për të kaluar kufirin pa probleme.