Jennifer Lopez dhe Ben Affleck u ribashkuan sërish në tapetin e kuq të Nju Jorkut, por këtë herë jo si çift, por si bashkëpunëtorë në një projekt të ri filmik. Dyshja e famshme, e cila u nda në vitin 2024 pas një martese dyvjeçare, u shfaqën të qeshur dhe me një qëndrim miqësor në premierën e filmit “Kiss of the Spider Woman”, ku Lopez interpreton rolin kryesor, ndërsa Affleck është një nga producentët ekzekutivë.
Të dy u fotografuan krah për krah, duke dhënë përshtypjen e një raporti të pjekur dhe profesional. Gjatë eventit, Lopez shkëlqeu me elegancë në fustan të zi klasik, ndërsa Affleck u shfaq me një kostum të errët, i qetë dhe në humor të mirë.
Në një prononcim për “Entertainment Tonight”, Affleck vlerësoi performancën e Lopez në film: “Është një histori e jashtëzakonshme. Ky është roli që Jennifer ka dashur të luajë prej vitesh, dhe është fantastike në të.” Edhe vetë Lopez pranoi kontributin e ish-bashkëshortit në realizimin e projektit: “Po të mos ishte Ben, ky film nuk do të ishte bërë. Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse për këtë.”
Filmi muzikor, një pёrshtatje e re e veprës klasike me të njëjtin titull, ndjek historinë e një të burgosuri politik dhe shokut të tij të qelisë, që lidhin miqësi përmes dashurisë ndaj kinemasë dhe figurës së aktores imagjinare që luan Lopez.
Megjithë bujën mediatike që shoqëroi daljen e tyre të përbashkët, burime pranë aktorëve theksojnë se marrëdhënia mes tyre mbetet thjesht profesionale. Lopez, në një intervistë ka lënë të kuptohet se kapitulli i tyre personal ka përfunduar, duke shtuar: “Gjatë jetës ndodhin gjëra — e rëndësishme është të ecësh përpara.”
Dalja e tyre në premierë riktheu nostalgjinë për “Bennifer”-in e dikurshëm, por këtë herë, të dy duket se kanë gjetur paqen — jo në dashuri, por në respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin artistik.










