Kreu Ekonomi Tuneli i Llogorasë do të kalohet me pagesë: ja çmimet për çdo...

Tuneli i Llogorasë do të kalohet me pagesë: ja çmimet për çdo kategori mjeti

Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ka hyrë në fuqi udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave për vendosjen e tarifave të përdorimit të Tunelit të Llogorasë. Dokumenti përcakton pagesat që do të aplikohen për automjetet që kalojnë nëpër tunel, sipas llojit dhe përmasave të tyre.

Tarifa minimale do të jetë 100 lekë për motoçikleta dhe mjete të ngjashme, ndërsa për automjetet e lehta me dy boshte dhe lartësi deri në 1.3 metra do të paguhen 250 lekë. Mjetet me rimorkio ose karavan do të paguajnë 500 lekë, ndërsa për autobusët dhe kamionët e mëdhenj tarifa shkon në 1,000 lekë. Për mjetet me katër ose më shumë boshte, përfshirë kamionët me shumë rimorkio, tarifa është më e lartë — 5,000 lekë.

Udhëzimi ndalon qarkullimin në tunel të mjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme. Ndërkohë, disa kategori automjetesh përjashtohen nga pagesa, përfshirë ato të Policisë Rrugore, zjarrfikëses, autoambulancave, ushtrisë dhe NATO-s, si dhe automjetet që përdoren nga personat me status invalidi për nevoja personale. Po ashtu, përjashtim kanë edhe mjetet e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Entit Kombëtar të Operimit Rrugor kur janë në kryerje të detyrës.

Për zbatimin e tij janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.