Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, trupa gjyqësore e kësaj gjykate ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke e cilësuar ngjarjen si “një goditje jo vetëm për drejtësinë, por për të gjithë shoqërinë shqiptare”.
Në reagimin e tyre, gjyqtarët shprehin ngushëllimet për familjen e kolegut të ndjerë dhe nënvizojnë se kjo tragjedi duhet të shërbejë si thirrje për reflektim të thellë mbi masat e sigurisë në ambientet gjyqësore. “Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e institucioneve për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Trupa gjyqësore e Apelit ndalet gjithashtu te gjuha e urrejtjes dhe denigrimit ndaj gjyqtarëve, duke theksuar se ajo minon besimin e qytetarëve te drejtësia. “Asnjë shprehje që nxit dhunë apo paragjykim ndaj atyre që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet”, thuhet në deklaratë.
Në përmbyllje, gjyqtarët e Apelit theksojnë se pavarësisht dhimbjes dhe tronditjes, drejtësia nuk do të trembet dhe se ata do të vijojnë të ushtrojnë detyrën “me integritet, paanshmëri dhe dinjitet, si mburojë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje”.
DEKLARATË PËR MEDIA E TRUPËS GJYQËSORE TË GJYKATËS SË APELIT
Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.
Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.
Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.
Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.
Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.
Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.
Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi.
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm









