Analizë nga Profesor Dr. Përparim Kabo
Regjisori Eric Vigne rikthehet në skenën e Teatrit Shqiptar
Drama “Fëmijët”, e Lucy Kirkwood, interpretuar nga artistët shqiptarë të Teatrit Kombëtar, nën drejtimin e regjisorit të shquar francez, Eric Vigne, tronditi skenën e Teatrit Metropol në Tiranë.
Të veshur krejt me të bardha, me një pamje mes engjëjve dhe specialistëve në një zonë rrezatimi, pas një defekti në një reaktor bërthamor, buzë detit, ata të tre: Rose (intepretuar nga Luiza Xhuvani), Azel (intepretuar nga Yllka Mujo) dhe Robin (intepretuar nga Vasian Lami), shpërfaqin një shoqëri tejet të ngarkuar, e cila lëviz, ndryshon dhe lëkundet mes tri energjive: energjisë atomike, energjisë morale dhe energjisë së dashurisë.
Regjisori Eric Vigne ka përdorur dekor të kursyer, gati-gati të zbrazur, me qëllim për të zhvendosur fokusin e publikut tek interpretimi, duke i dhënë theks aktorëve, dialogut dhe temave kryesore të shfaqjes. Kjo qasje minimaliste krijoi një gjendje shpirtërore specifike, siç është ndjenja e izolimit, nxitja aktive për vetanalizë dhe një heshtje që lundronte mes kuriozitetit dhe habisë se çfarë pritet të ndodhë.
Duke ndjekur “Fëmijët”, imagjinata e spektatorit përfshihet intuitivisht, duke shtuar sipas përjetimit dhe thellësisë së ndjesive, plotësimin e detajeve. Spektatori, sy e vesh, përpiqet për të nxitur një lidhje më të thellë me historinë.
Dekori i kursyer, gjithashtu, ofroi zhdërvjelltësi veprimi dhe rriti vëmendjen te ndriçimi, te lëvizjet skenike , për ta përthithur gjallërisht historinë e rrëfyer. Eric Vigne, në mënyrë tejet profesionale, duke ndërtuar një dekor, gati-gati prej kukullash fëmijësh, realizon mjeshëtrisht disa përftime që njihen në teknikat e komunikimit teatror, siç është përqëndrimi te interpretimi. Dhe kështu ndodhi.
Yllka Mujo, Luisa Xhuvani dhe Vasjan Lami, pothuaj nuk na lanë të merrnim frymë gjatë gjithë shfaqjes. Skena në kësi rastesh evokon një lloj humori të veçantë, dhe ashtu ndodhi. U krijua një lloj humori gri që notonte nga cinizmi te përçmimi, nga humori provokues tek labirinthi i vetëpërgjegjësisë ,nën peshën e pyetjes: “Cili jam unë?”, në një klimë të ndotur ,ku udhëtojnë të gjitha episodet.
Duke na vënë përballë një centrali atomik mbi një tavolinë, Vigne na stimuloi vëmendjen, e cila, në mënyrë aktive, u zhyt tek aktorët. E gjithë shfaqja mund të përkufizohet edhe si një përplasje karakteresh në kohën e shkuar, në kohën e tashme dhe në atë që pritet të vijë. Ky dekor asketik i rriti mundësitë e veprimit të shkathët të aktorëve dhe përvijoi dramatikisht një vijueshmëri nga skena në skenë, krejt të natyrshme, duke e mbajtur vëmendjen e publikut si në momente alarmi.
Dekori i kursyer njihet si një mjet estetiko-skenik, që të merr, pa u kptuar, përdore, për të jetuar intensivisht gjatë shfaqjes me thelbet e temave. Eric Vigne, si një filozof i ndërtimit te skenave teatrore, e ka përdorur edhe në këtë shfaqje dekorin e kursyer, për të theksuar tema dhe ide të caktuara, duke na e bërë mesazhin e dramës më të qartë, më të thellë dhe më goditës.
Kjo lloj skenografie jo vetëm që kushton pak, por lejon edhe lëvizjen e trupës së aktorëve në skena të ndryshme ,pa kurfarë pengese. Mirë do ishte që shfaqja “Fëmijët” të lëvizi në të gjitha trevat shqipfolëse.
Në qendër të skenës, mbi një tavolinë, qëndron moketi i centralit, ku nga gryka e oxhakut del një fjollë tymi e bardhë, që improvizohet nga cigarja që ndez herë pas here Rose, nën peshën e kujtimeve, dilemave dhe brengave. Ata janë të tre inxhinierë të energjisë atomike. Centrali që ata projektuan dhe ku shpenzuan jetën, një ditë të bukur, shpërtheu. Toka u trondit, deti gulçoi me dallgë gjigande dhe iu turr bregut, njerëzit rendnin si të lebetitur, llahtarë ngado.
Një gjendje apokaliptike u krijua brenda frymës së një çasti fatal. Çmenduria e uraniumit jashtë kontrollit u ndalua disi, por rreziku ekzistonte, ai ishte aq i pranishëm, saqë kishte bërë binjak ankthin kolektiv. Energjia elektrike ikte dhe vinte. Qe krijuar një botë gjysmëdritore, herë e verbër dhe herë me sy të pulitur. Një lloj grije universale, materiale dhe shpirtërore. Uji mungonte dhe qe i ndotur me radioaktivitet. Një gotë ujë, për të shuar etjen, ishte gati- gati si ajo që tha Jezusi në Kryq: “I thirsty” (kam etje). Jeta higjenike ne familje, deri vajtja në tualet për nevojat bazike, ishte një lloj privilegji.
Azel dhe Robin dikur kolegë pune në central, ishin martuar dhe kishin 4 fëmijë, nipër dhe mbesa. Pas gjëmës atomike, ata ishin zhvendosur disa km më larg nga zona e helmuar dhe qëndronin në shtëpinë e një miku. Kishte kohë që ata nuk komunikonin me të tjerë.
Rose, një kolege e tyre, u troket një ditë në derën e shtëpisë. Azel befasohet nga kjo vizitë. Nis mes tyre një bisedë e shpenguar. Kujtohen ngjarjet, kohët e shkuara, historitë e jetuara, aventurat dhe marrëzitë e tyre. Të gjitha tregohen dhe përjetohen, si të ndodhnin në ato momente. Realizimi skenik ngërthen natyrshëm të atypëratyshmen, dykohësinë dhe shumëkohësinë. Ndjenjat dhe përjetimet e reja shprehen mes dialogëve, rrëfenjave, kujtimeve, pandehmave dhe mëdyshjeve.
Për një moment të krijohet përshtypja se detyrimet e tyre në jetë ishin tashmë të kryera. E shkuara ishin kujtimet, e tashmja ishte tregimi i tyre, ndërsa e ardhmja ishte kotësia e kohës së mbetur. Atëhere kur ti mendon se jemi të “dënuar” të shohim një ngjarje të mërzitshme njerëzish të moshës së tretë, të dëgjojmë histori të lodhshme pa ndonjë lloj goditjeje, që të mund të përfshinte tërësisht, për të hyrë edhe ti si spektator në rrjedhën e ngjarjeve, pikërisht në atë pikë kthese, ka një lloj zgjimi.
Duket se gjëmime të thella, nga qiejtë e dinjitetit njerëzor, bujtin në skenë. Ata janë tri karaktere, të ngjashëm vetëm nga profesioni, por shumë të largët dhe të ndryshëm nga personaliteti, nga motivimet në jetë, nga egoizmat, brengat, idealet dhe dritëhijet. Mjeshtërisht, përmes nuancave të theksuara të tekstit, alternimit në dialogë, nënvizimeve logjike, pauzave dhe heshtjeve aq të arrira, transmetohen kumte që pikëzohen në përfundimin se ata tri personazhe manifestojnë tri lloj energjish etike.
Azel, një grua spitullante, me një lloj cinizmi, që shpreh krenarinë e të qënit e realizuar në jetë, shpërfaq etikën e justifikimit. Është tejet e kontrolluar në ato që thotë, edhe kur flet, kur pyet, kur hesht dhe dyshon, kur provokon, por edhe kur fyen. E ka prefeksionuar këtë lloj sjelljeje, aq sa është e pabesueshme, nëse në ato momente spektatori do të pyeste veten: Kështu është vërtetë kjo grua, bashkëshorte, nënë dhe gjyshe? Një lloj rregullsie absolute, që nuk të ngjall respekt. Pavarësisht nëse kjo lloj “përsosmërie” merr një formë egoiste apo jo-egoiste, perfeksionizmi kuptohet më së miri si një teori e sjelljes morale ,që i drejton qeniet njerëzore të kujdesen( me imponim) edhe për përsosmërinë e të tjerëve. Azel do që edhe Rose në shtëpinë e saj të njehsohet me etikën e saj.
Ndërsa i shoqi, Robin, ka kohë që shtiret se është përqafuar me rregullat etike të gruas së tij, sikur ato të ishin psalme të shenjta. Në fakt ai mbetet besnik i jetës së tij të dyzuar. Azel duket si një krijesë e formës sipas Platonit. Shkurt, ideja e diçkaje është më e përsosur se vetë gjëja e prekshme.
Në rastin e Azel, dukja dhe shitja e saj morale është më e përsosur sesa qenia e saj reale, e cila në zhvillimin e ngjarjeve vetëshkatërrohet deri në zhbërje të personalitetit. Etika e justifikimit, si dhe justifikimi i saj me etikë, është një mënyrë e tillë sjelljeje dhe marrëdhëniesh, që as të ngroh e as të ftoh, thjesht të bezdis me sofizmin e shtirur.
I shoqi, Robin, manifeston energjinë etike, si mjeshtëri për t’u dukur ai që nuk është, si dhe të jetë në gjendje të mbajë disa të fshehta, që peshojnë mbi formimin e tij karakterial. Ai shpërfaqet si ai që ka frikë nga ndriçimi i të shkuarës së tij. Robin është gjysmë Azel dhe gjysmë Robin. Një pjesë e qenies së tij është e shfaqur e gjallë, tjetra është e fshehur, disi e balsamosur, pa arritur edhe ai vetë të kuptonte cili ishte, së paku deri në mbërritjen e Rose. Kohët e tij nisin një udhëtim të fundit me misionin, unë Robin, ku do të duhet të strehohet përfundimisht. Së paku, tani në atë moshë që rruga e jetës shpinte drejt vdekjes.
Energjia e tretë etike ishte ajo e aftësisë për të sfiduarit. Rose është një grua e bukur, inteligjente, joshëse, krenare, si e rritur nga mushti i dallgëve të aventurës, një heroinë e sfidimit. Ky aspekt i lojës skenike të Luiza Xhuvanit është aq organik, saqë i thua vetes së brendshmi: “Sa mirë do të ishte që gjithë feminizmi universal të ishte i tillë! Kështu bota do të kishte më shumë liri!”
Në këtë lloj habitati, Rose ishte e edukuar si një femër e lirë, larg çdo lloj paragjykimi dhe frike. Ajo ishte femra’ jashtë rregulli’ ose ‘antirregulli’, pa tabu. Liria që ajo krijon në çdo rrethanë, vizaton dimensionet e saj, ku të qenit vetja nuk trembet nga ndotja që vjen nga paragjykimet. Rose me historitë e saj të dikurshme, por edhe me sjelljet në shtëpinë e miqve të saj të hershëm, ashtu, si pa u kuptuar, na zbërthen episod pas episodi, se njerëzit si Azel, që tinës planifikojnë çdo gjë, që bëjnë llogari të imta finoke, që fshihen dhe krenohen, që jetojnë në një akomodim gati ekojetësor, që u vjen keq për kafshët dhe qajnë për lopët e fermës, kur shpërtheu vala atomike.
Pra, kjo grua që të jep përshtypjen se pa ajër jeton, por pa etikën jo, është kaq e lodhshme, kaq dyshimndjellëse, për të qenë e besueshme. Yllka Mujo i ka qendisur këto tipare. Luhatjet karakteriale të Azel ,janë mekanizmi i konfliktit që pritet të shpërthejë.
Kumti i parë i regjisorit Eric Vigne është pyetja universale: Kur njeriu është i vërtetë, i besueshëm, vetvetja? Morali i Azel është fiktiv, meskin, i shtirur dhe hipokrit. Azel-Mujo manifeston me një lojë tejet të besueshme, se etika më hipokrite është ajo e njerëzve që kanë frikë nga historia e tyre e vërtetë.
Robin-Lami edhe ka, edhe nuk ka frikë nga e vërteta e tij. Ky raport për të është si raporti mes jetës dhe vdekjes. Edhe kur hyn në skenë, ai imiton ecjen me traktorë në një qafë mali, ku poshtë është humnera, dhe ai lodronte buzë saj, si për të treguar se, të jetosh dhe të largohesh nga kjo jetë, është vetëm një çast ekuilibri. Metafora është e thellë, provokuese. Ai lajmëron se çfarë do të ndodhë atë natë, nocturni i së cilës do t’i sillte tiparet e dinjitetit në sprovën e fundit të jetës.
Rose-Xhuvani nuk ka norma fikse etike. Ulje- ngritjet e saj janë të tilla që, ajo nuk vuan se si e shohin apo gjykojnë të tjerët. Rose është e vetme në jetë, pa burrë dhe fëmijë, pa dashuri fikse, pa gjinjtë që, për shkak të një kanceri, i ka operuar dhe mban proteza, të cilat ajo, me një humor të zi, i quan tullumbace të shpifura. Në jetë, Rose nuk ka luajtur me sofizma, as me paramendime. Është qenie e shpenguar, vetvetja dhe e drejtpërdrejtë. Ka një tolerancë në komunikim, që të çarmatos.
Drama vjen e rritet, kur mësojmë se Rose dhe Azel kanë qenë të dyja të dashurat e Robin. Këtë e dinin të gjithë në grupin e inxhinierëve atomistë, veç Robin, që mendonte se dashurinë me Rose e dinin vetëm ata të dy, ndërsa Azel jo. Të duket se po futemi në një dramë dashurie dhe tradhtie, sikur Rose ka ardhur, që në këtë moshë të largët nga rinia e dikurshme, të sfidojë këtë çift, ose duke i zhdukur, ose duke rigjetur dashurinë e humbur. Edhe ky lloj shtegu është pothuaj i pamundur. Ne në sallë mbetemi me frymën pezull.
Kumti i dytë, që ka nënvizuar aq bukur teksti dramatik dhe regjia skenike, është energjia e dashurisë. Tri personazhe, tri karaktere, tri lloj dashurish. Dashuria për vete! Një lloj egoizmi narcist. Kjo zbulohet, kur Rose shprehet hapur pse ka ardhur në shtëpinë e tyre. Nën peshën e përgjegjësisë për veprimet jo të duhura dhe mosveprimet, ajo ndjen detyrimin njerëzor për shpërthimin në reaktor. Atje vijonte puna nga inxhinierë të rinj, në moshë sa gjysma e saj, të sapo martuar dhe me fëmijë, të cilët, duke rrezikuar jetën e tyre, po përpiqen të ndalin përbindëshin atomik, që është në prag të derdhjes së ujërave të ndotura me rrezatim në det.
Rose ka marrë një vendim: të rikthehet në central dhe ka nisur një fushatë rekrutimesh nga radhët e inxhinierëve të dikurshëm. Me të ishin bashkuar 18 ish- specialistë, 3 prej të cilëve të njohur edhe nga Azel dhe Robin. Vizita misterioze nuk është dhe aq e tillë, nga kujtime dhe kortezi ajo shpërfaqet si betejë për jetë a vdekje.
Rose, me një kreshendo që të shkund në dinjitet, u bën thirrje dy ish-kolegëve, që të bashkohen me të në këtë aventurë me shumë rreziqe. Ata, specialistët e rinj në moshë, që janë duke punuar atje, duhet të jetojnë, për vete dhe për fëmijët e tyre. Ne jemi përballë përgjegjësisë që e shkaktuam këtë gjendje! Këto fjalë të Rose elektrizojnë atmosferën. Njeriu përballë vetes, për të njohur dhe rregulluar gabimet!
Çfarë është përgjegjësia e thellë morale? Ky koncept shihet në letërsi, në dramaturgji, në antropopsikologji dhe në filozofi, me ekuacionin: Një personazh ose person, pas një periudhe keqbërjeje, përjeton një vetëdije kritike dhe kërkon një pikë kthese drejt njohjes së përgjegjësisë së tij.
Regjisori Eric Vigne, falë një loje të simfonizuar të tre (personazheve) aktorëve, për të cilët duhet thënë me plot gojë se janë mjeshtra të të folurit skenik, ku logjika shprehëse, ndjeshmëria e çdo fjale dhe përjetimi, ngjyrosja organike e çdo nuance, shkallëzimet emocionale, rrjedhat lineare dhe përplasjet kundërvënëse kanë ndërtuar mjeshtërisht relievin e thepisur të energjisë së dashurisë.
Energjia egocentriste e dashurisë vetëm për vete, një lloj narcizmi i pështirë, sillet nga Azel-Yllka Mujo, kur ajo tregon se në familjen e saj gratë jetojnë gjatë, si të thuash, vdekja i harron. Gjyshja e saj kishte ikur nga jeta në moshën 103 vjeç. Azel ëndërronte një rehati buzë ujërave të ngrohta të Mesdheut, larg andrallave dhe përgjegjësisë. Historia e centralit atomik, ku ajo kishte kaluar vitet e punës dhe kishte bërë karrierë, pati fituar emër, kishte gjetur dashurinë, ishte tashmë për të një kapitull i mbyllur. Vdekja duhej të trokiste diku gjetkë.
Në ato momente nuk kuptohej se çfarë ishte dashuria për këtë njeri. Po dashuria për jetën çfarë ishte? Pse ekzistonte kjo grua? A kishte përgjegjësi para vetes dhe shoqërisë? Ku qendronte morali i saj, kur refuzon të rikthehet në central?! Në mënyrë shumë artistike, loja e saj është ndërtuar e tillë që e zvogëlon si person.
Azel–Mujo, vetëdemaskohet si një manjake, kur ulëret, se zbulon që Rose ka kryer nevojat fiziologjike (jashtëqitjen), jo në banjën e duhur. Ajo ka arritur tashmë në një pikë kur të gjitha ato që i kishte manifestuar, si: dashuri për njeriun, natyrën, botën e gjallë, kafshët, atmosferën, tingëllojnë të pavërteta.
Në këto rrethana Robin “zgjohet”. Ai do që të tregojë gjithçka pati bërë dikur. Krahas dashurisë për Azel, nënën e katër fëmijëve, ky mashkull, në të njëjtën kohë jetonte edhe dashurinë e fshehur për Rose. Gjithçka në të gjallë, vjen koha që duhet pranuar hapur, pa droje.
Robin-Lami donte që të tejkalonte aventurën e dikurshme si kujtim të fshehur, duhej ta pranonte para vetes se cili ishte. Ato dy femra ishin energji që shtyheshin, përplaseshin, ndesheshin, kaploheshin, ndaj kishte ardhur dita e riemërimit të tyre. Robin duhej, më në fund, të pranonte se cila prej atyre dashurive ishte e sinqerta, e ndjerë dhe e tij në të gjithë qenien.
Rose-Xhuvani shpalos një tjetër lloj energji dashurie, krejt të hapur, pa komplekse, të thellë me të gjithë personalitetin e saj. Ajo ndryshonte nga ata të dy, sepse Rose ende krijonte dashuri, jo për vete, por për të tjerët. Për të, dashuria nuk ishte as aventura e fshehur dhe as ajo e një femre që llogarit se çfarë do fitonte në kurriz të një tjetre.
Dashuria për të ishte një energji positive, që shpërndahet dhe nuk ka droje të thotë: “Unë jam pa maska! “Është mjeshtëria e regjisorit që këtu ka kulmuar ecurinë dramatike dhe të tre aktorët i janë përgjigjur me lojë tejet profesionale. Tri karaktere njerëzore të ndryshme dhe dashuria si një energji diku përjashtuese-Azel, diku e pavendosur për t’u pozicionuar- Robin, diku e çlirët, e bardhë dhe antikonformiste, Rose.
Kumti i tretë Vignenian, që kulmon, është: Nëse në një shoqëri kemi dashuri të pasinqerta, atëherë, si edhe në një central bërthamor, shoqëria është e rrezikuar nga ndotja. Njerëzit, të helmuar nga dashuritë e pavërteta, mund të bëjnë të shpërthejnë të gjitha llojet e energjive shkatërruese. Pa kuptimin për dashurinë, dhe për jetën, edhe rrugët drejt vdekjes, janë të pasinqerta, të turbullta dhe ato i ndajnë njerëzit në egocentristë dhe humanë. Azel është gati të hyëj në marrëzinë për të blerë pavdekësinë, ose e thënë ndryshe: “Le të vdesin të tjerët, vetëm ajo të mos vdesë”.
Robin, më në fund do të lajë mëkatet, duke dalë nga një jetë ambingue. Ai, hapur, pranon të kthehet me Rose në central, sepse, duke shkuar drejt vdekjes për një ideal ,siç është të shpëtuarit e jetës së të tjerëve, do të mund të takojë dashurinë e vërtetë. Rose i hap sytë, e nxjerr pa sforco nga verbëria e jetës së mbyllur. Me sharmin e mendjes, ajo i ndriçon shpirtin e ndarë nga jeta pa maska dhe i shkrepton vetëdijen, e cila kishte fjetur gjatë në vetminë familjare, ku shqetësimi më i madh ishte telefonata e përsëritur e së bijës, e cila kishte frikë të jetonte vetëm, pa çka se i kishte kaluar të 30-tat.
Rose triumfon. Në këto momente, moketi i centralit na humbet nga shikimi, të gjithë, edhe ne spektatorët, nisemi në këtë pelegrinim, të shpëtojmë jetën e të tjerëve, pa i njohur cilët janë. Anonimati i tyre nuk është argument për ta braktisur këtë mision. Rose, edhe energjinë e vdekjes e sjell triumfuese. Ajo pranon se, me dështimet në jetë ,mund të ketë vdekur më shumë se një herë individualisht.
Tani është koha dhe momenti që ajo do të vdesë, që të jetojnë të tjerët. Rose do të shkojë në Central, sepse përgjegjësia për të mos tradhëtuar veten në këto rrethana, është për të si një udhë qumshti në qiellin e dinjitetit. Puthja e munguar me Robin, pas kaq vitesh, rivjen me afshin e një pengu malli dhe pasioni. Të gjitha puthjet e padhëna ishin atje, edhe ato që s’kishin ndodhur, dhe ato që ishin ëndërruar. Dashuria e vërtetë e ka emrin’ dinjitet femëror’.
Robin, më në fund, e kupton këtë dhe niset drejt rrezkut dhe vdekjes, pa më të voglën pendesë. Tek e fundit, zbërthimi i atomit të uraniumit shkakton energjinë atomike, me të mirat dhe rreziqet e saj. Ndërsa zbërthimi i ndërgjegjes së njeriut, çfarë shkakton? Çfarë energjish ribërëse apo shkatërruese mund të prodhohen? Një gjë është e sigurt. Kur shpërthen ndërgjegjja individuale apo ajo shoqërore, i çirret maska hipokrizisë, individualizmit egoist dhe, si pas një rrebeshi, hapet qielli i së vërtetës.
Ky ishte një tjetër kumt që Eric Vigne e ka sjellë me vënien e tij në skenë. Ndërgjegjet e fjetura janë mallkim! Njeriu ribëhet dhe po kështu shoqëria. Vetë jeta është një zinxhir i pandërprerë ribërjesh. Po vdekja çfarë është? Ajo është refuzimi i ribërjes së individit në çdo kohë. Në jetë ka kohë dhe vend për gjithçka, edhe për meshën e pendimit. Ndaj, ka njërëz të gjallë-të vdekur, siç e ka edhe njerëz të vdekshëm, të cilët e kanë sfiduar atë që në të gjallë të tyre, duke mos patur kurrë frikë për të ikur nga vetja, për t’u bërë më të mirë , vetëm me një atribut: Të jenë gjithnjë të vërtetë. Algoritmi i ngjarjeve dhe i dinamikës së dramacitetit, është i përmbledhur në një ekuacion të thjeshtë në formulim, por shumë i thellë në idetë që përcjell.
Kur hyn në shtëpinë e miqve të saj, Rose pyet: “Si janë fëmijët tuaj?” Kur del nga ajo shtëpi, për t’u rikthyer në centralin bërthamor, që rënkon në pragshpërthimi, ajo pyet: A jeni gati të shpëtojmë të gjithë fëmijët e shoqërisë? Ky është kryekumti i vënies skenike. Të tre artistët e skenës udhëtuan herë veç e veç, herë të gjithë bashkë, por në ansambël, ashtu butë, na kujtuan se: Të gjithë jemi fëmijët e fatit, por njëherësh jemi dhe arkitektët e tij!
Askund dhe asnjëherë nuk ka qoshe ku bie dielli dhe ti mund të thuash se unë mund të jetoj jashtë energjisë njerëzore, qoftë si dashuri, qoftë si marrëzi!
* * *
Lucy Kirkwood është një dramaturge dhe skenariste britanike, e vlerësuar me disa çmime. E lindur në vitin 1984, në Leytonstone, Mbretëria e Bashkuar, nga një baba “punëtor qyteti” dhe një nënë “komunikuese e gjuhës së shenjave në shkollë”, ajo u rrit në Londër.
Prindërit e Kirkwood e inkurajuan dashurinë e saj për teatrin, duke e çuar rregullisht në shfaqje. Ajo e shfaqi shpirtin krijues qysh në shkollën fillore të vajzave, në Ëoodford, Essex. Më vonë ndoqi Universitetin e Edinburgut, duke studiuar letërsi angleze. Në universitet, Kirkëood performoi me një trupë komedie, të quajtur “The Improverts”.
Ajo gjithashtu shkroi për kompaninë teatrale të universitetit. Pas diplomimit në Universitetin e Edinburgut, Kirkwood ndoqi Akademinë prestigjioze Mbretërore për Artet Dramatike, ku mori një ofertë për përfaqësim nga Mel Kenyon, agjentja e dramaturges së shquar, Caryl Churchill. Edhe para se të diplomohej, Brush dhe studioja e Teatrit Kombëtar, i kishin porositur asaj shfaqje.
Kirkwood-it iu ofrua gjithashtu një pozicion shkrimtari në dramën televizive “Skins “, për adoleshentë. Që nga diplomimi, ajo ka shkruar një numër të madh projektesh, duke përfshirë “Gratë e përgjakshme”, “Kimerica”, “Në fillim zemra më ikte, por tani është mirë”, “Mushkonjat” etj.
Puna e Kirkwood është e frymëzuar nga interesat e saj të gjera, duke u përfshirë te klasikët e kulturës, si Ibsen dhe Stanley Kubrick, por edhe te shkencëtarë, deri edhe duke punuar si mësimdhënëse e klasave të shkrimit në burgje. Dramat e saj kanë fituar çmime të shumta dhe janë interpretuar në shumë vende të botës.
Drama “Fëmijët” daton vitin 2016. Eric Vigne, Yllka Mujo, Luisa Xhuvani dhe Vasjan Lami, e sollën premierë, në hapje të sezonit teatror 2025, në skenën shqiptare me shumë sukses. Kritika e specializuar e ka vlerësuar dramën të tillë, aq sa të kujton “ Një armik i popullit”, të Enrik Hibsen, shkruar më 1882, ku integriteti i njeriut ndeshet me normat shoqërore ,me qëllim triumfin e vlerave morale.Në një shkrim të Jonathan Kalb ,në revistën e njohur: “The Theatre Times”, lexojmë për dramën “Fëmijët”, të Lucy Kirkwood: “…Ajo që e bën më interesante për mua shfaqjen “Fëmijët”, të Lucy Kirkwood, është fakti se, pasi drama del nga rutina e trekëndëshit të saj të parëndësishëm të dashurisë, ajo lulëzon në një mendim të palëkundur dhe të vështirë rreth etikës shkencore dhe kufijve të interesit vetjak.
Në fund të fundit, nuk ka keqbërës ose heronj të lehtë në të, siç nuk ka, të themi, në “Një armik i popullit”, të Ibsenit ose “Farg” të Churchillit (drama të tjera të rëndësishme, që prekin fatkeqësitë ekologjike dhe qëndrimin ndaj tyre nga njeriu i dyzuar). Ekziston vetëm dilema urgjente se si dikush mund të veprojë moralisht, në kushte moralisht të çrregullta.”
Ndoshta e gjithë rrëfenja me historitë dhe episodet, dashuritë, tradhëtitë, xhelozitë dhe zënkat, cmirën dhe cinizmën, mund të përmblidhet në atë që Rose u thotë në fund dy kolegëve, përtej rivalitetit femëror:”
Ndërtuam një reaktor bërthamor pranë detit dhe më pas i vendosëm gjeneratorët e emergjencës në bodrum! I lamë me një shfaqje të tmerrshme, që priste të ndodhte dhe pa asnjë procedurë evakuimi!” Dhe më tej jemi po ne që kemi mbetur në errësirë. Gabuam, duke mos u përpjekur të rregullonin diçka që mund ta kishim parashikuar. Ne duhej të kishim vepruar, duke hapur valvulat me dorë, edhe pse ishte tepër vonë! Në këto momente përballjeje, gjithçka elektrizohet në përmasa rrëqethëse. Përtej krizës mjedisore, frymojnë shpirtrat njerëzorë, që gjenerojnë një kryeenergji, përgjegjësinë morale në çaste të rrezikshmërisë së lartë ,jo thjesht për veten e tyre.
Regjisori me fame botërore, Eric Vigne, erdhi më dramën “Fëmijët”, për herë të katërt në skenën shqiptare. I njohur për konceptimet e tij, tejet fine, (ku simbolizmi skenik kombinohet me teatrin e mirëfilltë të fjalës, e cila jo thjesht përcjell tekst, por ndërton nënvizime epistemash me vlerë universale); edhe në këtë vënie, Vigne na befason.
Gjuha e tij dramatike, ndërtimi i personazheve, lëvizjet në skenë, dialogët, heshtjet, përballjet, meditimet, udhërrëfimet individuale, komunikimi me publikun, ndriçimet e mëvetshme, kompleksi i ndjesive të krijuara, dhënie-marrjet emocionale aktor-spektator, janë të gjitha të mirëmenduara dhe mirëparandjera.
E gjithë loja skenike, që ai krijon me Yllka Mujon, Luisa Xhuvanin dhe Vasjan Lamin, së paku ,mua personalisht, me shtyu që ,gjatë ndjekjes së shfaqjes si spektator, të mbaja pezull frymën përballë disa pyetjeve që gëluan në emocionet e mia, të cilat më shumë se të tilla, janë çështje universale ,që as mund të shpërfillen dhe as mund të nënçmohen. Unë i drejtohem vetes dhe neve , gjithashtu, si shoqëri: Nëse bota nuk të sheh, por syri yt i brendshëm të vëzhgon, pse në këto rrethana, etika personale duhet ta tejkalojë imoralitetin e përligjur nga verbëria egoiste? Si duhet të edukohemi , që etika personale, e rrënjosur në bindjen e brendshme dhe jo në gjykimin e jashtëm, në thelb të mbartë më shumë peshë sesa veprimet e justifikuara nga verbëria apo egot subjektive? Shfaqja u bie kambanave, se morali i pastër dhe vlerat e tij burojnë nga një busull e brendshme antrop-etike e padukshme, e cila kërkon të vërtetën dhe drejtësinë, pavarësisht presionit egocentrist apo justifikimeve gjithfarësh.
Kur “syri i brendshëm vëzhgon”, kjo tregon një përgjegjësi të brendshme morale, për të vepruar në përputhje me parimet themelore etike, edhe në mungesë të llogaridhënies së jashtme. Vetëm kështu zgjedhjet etike janë superiore ndaj veprimeve të kompromentuara, të nxitura nga verbëria ,cilado qoftë ajo. Në thelb, një qasje e tillë është kuptimi i Immanuel Kantit për moralin.
Ende kam si peng reflektimi në vetëdijen time, atë që Eric Vigne ka ndërtuar në skenë. A është energjia morale një energji më e fuqishme se energjia atomike? Energjia morale ndikon në sjelljen njerëzore dhe mund të jetë një forcë e rëndësishme në formësimin e shoqërisë, por ajo vepron në një plan tjetër ekzistence, jo në një plan fizik.
“Fëmijët skenikë” të Eric Vigne, na bindin se, pa imanencën morale, gjithçka mund të kthehet në të kundërtën e saj. E dobishmja mund të shndërrohet në shkatërrimtare. Morali i pakompromentuar, si etikë deontologjike dhe jo si sjellje në lojërat e një karakteri çfarëdo, mund ta kapërcejë marrëzinë njerëzore sepse është një aftësi që mundëson bashkëpunimin dhe lidhjen shoqërore përmes empatisë, gjykimeve të vlerave dhe aftësisë për të zgjedhur midis veprimeve, të cilat janë të nevojshme që shoqëritë komplekse dhe tejet të ngarkuara me kundërvënie që prishin balancat, të rregullohen për të mirëfunksionuar dhe për të mbijetuar.
Ndërsa interesi vetjak individual mund të çojë në akte egoiste (marrëzi). Vetëm përgjegjësia për jetën siguron (mbi)rregullat, vetëkontrollin dhe të mirën njerëzore. Kur drama u mbyll, më doli nga shpirti etosi që u shkruajt në ajrin e skenës: Deri ku shkon egoizmi njerëzor?
E pamë egocentrizmin e Azel te sjelljet e vogla të përditshme, të fokusuara te mania, vetja ime është bota që më mjafton, por mbi të gjitha te vendimet e rëndësishme në jetë. Episod pas episodi, si një energji që po çlirohej drejt nesh ,që ishim bërë njësh me frymën e artistëve, si për të mos thithur nga ajri i zonës së ndotur, ashtu të pambrojtur, ne donin të kuptonim në mënyrë shteruese: pse egoizmi vrapon pa u ndalur deri te akte ekstreme manipulimi dhe mungesë empatie?
E gjitha kjo gjendje, derisa të shfaqej haptazi me pathos njeriu( Rose-këtu Luiza Xhuvani është e magjishme) apo njerëzit( ata ishin 18 vullnetarë, bashkë me Rose dhe Robin u bënë 20) të cilët, me kurajon dhe altruizmin e tyre, ia nisën të krijonin bashkëpunimin që tejkalonte meskinitetin.
Më tronditi vënia skenike, sepse Eric Vigne e kishte ndërtuar mjeshtërisht atë që njihet si egoizmi psikologjik. Loja, të shprehurit, përjetimet, ulje- ngritjet karakteriale të Azel-Yllka Muji, vizatuan emocionalisht bindjen se te një njeri i molepsur me egozimin ,gati narcist, të gjitha veprimet janë të llogaritura vetëm për interesin vetjak. Në literaturën dramatike, egozimi si “materie” antropo-psikologjike, është sjellë në skenë në drama dhe tragjedi të fuqishme. Shakespeare e ka pothuaj në tërë veprën e tij këtë gjendje, të cilën e kthen në karaktere, në sjellje, në qëndrime, marrëdhënie dhe raporte të njeriut me veten, me pushtetin dhe egozimin e shfrenuar.
E gjejmë egoizmin te tragjedia Macbeth, te Hamleti etj. Në psikologjinë e sjelljes njihen shkallët e egoizmit. Format Egocentrike, Adaptive dhe Patologjike të Egoizmit. I jam mirënjohës regjisorit dhe aktorëve, të cilët aq natyrshëm ndeshen me energjinë e egoizmit, Azel i përjeton të tri gjendjet, gjatë gjithë kohës është egocentriste, lëkundet sipas situatave dhe konjukturës në shtirje adaptive dhe përfundon në një njeri gati të sëmurë patologjikisht nga egoizmi.
Robin e lëshon egocentrizmin, që më në fund të jetë vetja. Ai zhytet në ujërat e adaptimit dhe merr një vendim përfundimtar, për një rifillim të ri. Rose kishte kohë që e kishte braktisur egoizmin individual, nuk i pëlqente shtirja dhe përshtatja, dhe ishte tashmë e sprovuar për të mposhtur egozimin patologjik të cilido, duke nisur fillimisht nga ish- rivalja në dashuri Azel.
Ajo me vendimin e saj na bind se, para se të pranojmë se jeta është pasuria më e madhe, me vetësakrifikimin e vetes, Rose shpreh se vlerat humane veprojnë si “uraniumi” që krijon dhe mbron energjinë njerëzore. Në momentet e fundit ka dy qasje përballë gjendjes dramatike: Heshtja, e cila intensifikon situatën që mund të shkojë drejt tragjedisë, ose marrja e përgjegjësisë me veprime që i japin kuptim triumfues edhe nisjes drejt vdekjes, për të shpëtuar jetë të tjera të pafajshme.
Çdo sjellje profesionale ushqehet nga energjia e kodit etik. Pa këtë “karburant antropoatomik”, shoqëria popullohet nga ushtria e atyre që këndojnë marrshin e shpëlarë të justifikimit. Nuk është vonë ta gjesh rrugën e duhur edhe në fund të jetës, siç bën Robin-Vasjan Lami. Sjellja e tij prish balancat e kalcifikuara dhe rizgjon një kuptim ndryshe për vete dhe për dy parteneret e tij në jetë.
Nga i fshehur, ai del tashmë, pa droje, i hapur. Himni njerëzor në momentet finale është: Çdo gjë që vjen nga brenda njeriut, ka tjetër dritë. Kur njeriu ecën jashtë, ai do që të shfaqet, të duket, ta shohin, është nën ombrellën e jetësimit në zhurmën e opinionit, përpiqet të deklamohet me mburrje si i realizuar. Kur njeriu ecën brenda vetes, ai do që të ndiejë, të takojë lirinë, të njohë dhe rinjohë veten, të kuptojë ku e ka burimin drita e dinjitetit. Ndaj, për njeriun në jetë ka dy pelegrinazhe: ai i rreshtit formalist dhe ai i arratisjes nga rreshti I shtirjes drejt dinjitetit ,që mund të jetë dhe vetësakrifikimi si shpëtim moral, duke bekuar me jetë brezat që vijnë!
Marrë nga: Gazeta DITA, https://gazetadita.al/vetesakrifikimi-si-pergjegjesi-ndaj-jetes-se-tjetrit/









