Në një deklaratë të publikuar pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës uroi popullin shqiptar për procesin zgjedhor dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit të ngushtë midis dy vendeve.

“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë,” thuhet në deklaratë.
Por mesazhi diplomatik, si zakonisht, la pas disa të panjohura. Amerikanët “folën”, por nuk thanë gjithçka. Në interpretimin e mesazhit, secila nga palët politike – pozita dhe opozita – po përpiqet t’i zgjidhë ekuacionet sipas leximit të vet.
Fitorja e “popullit shqiptar” pranohet me kujdes nga njëra palë, ndërsa tjetra vijon ta mohojë, duke i mëshuar çështjeve të transparencës dhe procesit. Në këtë sfond, mbështetja e SHBA-së për demokracinë dhe partneritetin strategjik mbetet konstante, por pa hyrë në detaje mbi rezultatin konkret të zgjedhjeve apo legjitimitetin e tij.
Në këtë lojë politike dhe diplomatike, mesazhi amerikan mbetet i qartë për një gjë: bashkëpunimi SHBA–Shqipëri do të vijojë, por sytë janë ende mbi zhvillimet që vijnë.