Kreu Sport Ozempic hyn edhe në Indi: revolucion apo rrezik për shëndetin?

Ozempic hyn edhe në Indi: revolucion apo rrezik për shëndetin?

Medikamenti i njohur për humbje peshe Ozempic, i prodhuar nga kompania daneze Novo Nordisk, ka marrë miratimin për t’u hedhur në tregun indian. Fillimisht i zhvilluar për trajtimin e diabetit, injeksioni është bërë i famshëm në mbarë botën për efektet e tij të shpejta në uljen e peshës, duke tërhequr miliona përdorues dhe duke gjeneruar miliarda dollarë në shitje.

India shihet si një nga tregjet më të mëdha për këtë medikament: vendi ka mbi 100 milionë persona me diabet të tipit 2 dhe rreth 250 milionë njerëz obezë. Vetëm tregu indian i barnave për humbje peshe pritet të arrijë vlerën e 100 miliardë dollarëve deri në vitin 2030, duke nxitur një garë të fortë mes gjigantëve farmaceutikë Novo Nordisk dhe Eli Lilly.

Por pas suksesit dhe marketingut agresiv, shfaqen edhe polemika. Efektet anësore të Ozempic përfshijnë shqetësime të zakonshme si diarre, të përziera dhe të vjella, por janë raportuar edhe raste më të rënda si sëmundje të tëmthit, paraliza e stomakut, bllokime të zorrëve, probleme pankreatike apo dëmtim i syve.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është se patenta e substancës aktive semaglutide do të skadojë në Indi në mars 2026, duke hapur rrugën për versione më të lira gjenerike.

Mjekët paralajmërojnë se, pavarësisht premtimeve për humbje të shpejtë peshe, pacientët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të këshillohen gjithmonë me një specialist para përdorimit. Sepse, përtej barnave të shtrenjta dhe risqeve të tyre, rruga më e sigurt drejt humbjes së peshës mbeten zakonet e shëndetshme: regjimet ushqimore të balancuara dhe aktiviteti i rregullt fizik.