Kreu Art Paris Fashion Week: një epokë e re në modën botërore

Paris Fashion Week: një epokë e re në modën botërore

Java e Modës në Paris çel siparin këtë të hënë me shfaqjet e Saint Laurent dhe Weinsanto, në një sezon të shënuar nga ndryshime të mëdha në krye të shtëpive më të mëdha të modës. Më shumë se një duzinë markash prezantojnë drejtorë të rinj kreativë, duke hapur një kapitull të ri për industrinë, në një kohë kur tregu i modës po përballet me ngadalësim të kërkesës dhe paqëndrueshmëri ekonomike.

Pritshmëritë më të mëdha lidhen me debutimin e Matthieu Blazy tek Chanel, i katërti drejtor kreativ në historinë e kësaj shtëpie pas Karl Lagerfeld dhe Virginie Viard. Sfilata e tij, e cila pritet të jetë kulmi i javës, do të mbahet më 6 tetor. Po aq e komentuar është dhe premiera e Jonathan Anderson në Dior për linjën e grave, ndërsa Pierpaolo Piccioli sjell vizionin e tij te Balenciaga pas largimit të Demna-s drejt Gucci-t.

Në skenë hyjnë gjithashtu emra të tjerë të rinj: Duran Lantink tek Jean Paul Gaultier, Jack McCollough dhe Lazaro Hernandez tek Loewe, Miguel Castro Freitas tek Mugler dhe Mark Thomas tek Carven. Sipas kritikëve të modës, kjo është një Javë Mode “historike”, që shënon hyrjen e një gjenerate të re drejtuesish që sjellin një vizion më global, gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm, ndërsa përpiqen të risjellin trashëgiminë e shtëpive të modës.

Përveç debutimeve, Parisi sjell rikthimin e markave të munguar si Celine dhe Thom Browne, ndërsa Louis Vuitton, Hermès dhe Victoria Beckham pritet të tërheqin po ashtu vëmendje të madhe. Në një kohë kur industria e luksit po lëkundet mes tarifave amerikane, rënies së kërkesës në Kinë dhe pasigurive globale, Java e Modës në Paris po pozicionohet si një moment vendimtar për të rindezur pasionin dhe tregun e modës botërore.