Kreu Rreth Globit Dronë të “panjohur” në Kopenhagen: A po afrohet Putin në Europë?

Dronë të “panjohur” në Kopenhagen: A po afrohet Putin në Europë?

Një situatë alarmante u regjistrua mbrëmjen e 22 shtatorit 2025 në aeroportin ndërkombëtar të Kopenhagenit, i cili u detyrua të mbyllte hapësirën ajrore pas raportimeve për praninë e disa dronëve të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi vetëm pak orë para se edhe aeroporti i Oslos në Norvegji të pezullonte fluturimet për arsye të ngjashme, duke shtuar frikën për një skenar të ri sigurie në zemër të Europës.

Zyrtarët danezë raportuan se “dy deri në tre dronë” u panë duke fluturuar mbi aeroport, ndërsa policia e Kopenhagenit më pas saktësoi se bëhej fjalë për “tre ose katër dronë të mëdhenj”, më të mëdhenj se çdo pajisje që mund të blihet nga qytetarët. Rreth 15 fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera, ndërkohë që autoritetet po hetojnë në terren origjinën e pajisjeve.

Në Norvegji, autoritetet e Oslos konfirmuan mbylljen e hapësirës ajrore nga mesnata për shkak të një tjetër shfaqjeje droni, duke zhvendosur të gjitha fluturimet në destinacione alternative. Ngjarjet e njëpasnjëshme kanë rritur shqetësimin për një seri shkeljesh ajrore që lidhen me tensionet mes Rusisë dhe NATO-s.

Vetëm disa ditë më parë, Estonia raportoi hyrjen e tre avionëve luftarakë MiG-31 rusë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa Polonia deklaroi se gjatë një sulmi rus mbi Ukrainën, 19 dronë kishin kaluar kufirin e saj, duke detyruar ndërhyrjen e forcave ajrore polake dhe aleatëve të NATO-s. Edhe Rumania raportoi një episod të ngjashëm.

Situata ka arritur deri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku aleatët perëndimorë akuzuan Moskën për veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë përplasje të drejtpërdrejta me NATO-n. Përfaqësuesi britanik paralajmëroi se “aleanca është mbrojtëse, por e gatshme të mbrojë qiellin dhe territorin e NATO-s”. Nga ana e saj, Rusia mohoi çdo shkelje, duke insistuar se fluturimet e avionëve të saj ishin “në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Në sfondin e këtyre zhvillimeve, pyetja që shtrohet gjithnjë e më shpesh është nëse incidentet me dronë dhe avionë përbëjnë thjesht provokime të izoluara apo sinjale se Putini po teston durimin e Europës. Përgjigja, sipas ekspertëve, mund të vijë shumë shpejt, ndërsa NATO pritet të mblidhet të martën për të diskutuar në nivel të lartë mbi situatën.